E Diel, 1 Nëntor 2026

Withers: Dënimi i agresorëve të Bazes, test për ShqipërinëNga Tema Ambasadori amerikan rrëfeu dje se qeveritarët e lartë i kanë thënë se janë dakord me sulmin ndaj Bazes. Ai tha se është e pabesueshme që drejtori i TV Klan deklaron në emisi

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Withers: Dënimi i agresorëve të Bazes, test për ShqipërinëNga Tema

Ambasadori amerikan rrëfeu dje se qeveritarët e lartë i kanë thënë se janë dakord me sulmin ndaj Bazes. Ai tha se është e pabesueshme që drejtori i TV Klan deklaron në emisionin “Opinion” se dhuna duhet të jetë përgjigjja për mendimin ndryshe.

Diplomati amerikan, në alarm nga frika që mund të ketë ndjellë një sulm i tillë, u kërkon gazetarëve të mos stepen

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, John L. Withers, duke folur dje në konferencën “Midis Lirisë së Dhunuar dhe Informalitetit” tha se ishte i trishtuar dhe nuk arrinte të besonte reagimet e qeveritarëve të lartë dhe të pronarit të TV Klan, Aleksandër Frangaj, që justifikojnë dhunën mbi gazetarin Mero Baze.

“Kam parë dhe kam lexuar me interes reagimet e qeveritarëve, gazetarëve, manjatëve të medies, të cilët i janë përgjigjur asaj që ndodhi disa net më parë. Mund të them se e kam të vështirë t’u besoj disa prej atyre reagimeve, editorialeve dhe komenteve, që duken se nënkuptojnë sikur Mero Baze ia shkaktoi vetes atë që ndodhi, ngaqë artikujt e tij ishin provokativë, të ashpër dhe paragjykues. U trishtova, kur gjatë disa bisedave private me qeveritarë të lartë pashë të njëjtin qëndrim. Më veçanërisht u shokova, kur dëgjova mbrëmë në programin televiziv “Opinion” z. Frangaj, i cili është i lidhur ngushtë me medien, dhe nga i cili mund të presësh shumë, që dukej se justifikonte faktin që në raste mendimesh të kundërta, dhuna na qenka e drejtë. Dua t’i them atij që nuk pajtohem me këtë mendim, por dua t’i them atij gjithashtu që, gjithsesi, unë i njoh atij të drejtën e të shprehurit të mendimeve, me të cilat unë nuk bie dakord, në një kohë kur ai nuk duket se dëshiron t’u njohë të tjerëve të njëjtën të drejtë”, - tha Withers.

“Asnjë justifikim për dhunën”

Në nisje të fjalimit të tij ambasadori amerikan tha se në demokraci nuk ka asnjë justifikim për përdorimin e dhunës. Ambasadori amerikan i uroi gazetarit Baze shërim të shpejtë dhe rikthim në punën e tij.

“Kam dashur prej kohësh që t’u drejtohem anëtarëve të Unionit të Gazetarëve dhe për mua është një privilegj dhe nder që të flas sot së bashku me z. Çipa. Fatkeqësisht, takimi ynë i parë ndodh nën hijen e një ngjarjeje tragjike të papranueshme.

Një nga kolegët tanë, një nga anëtarët e bashkësisë së gazetarëve shqiptarë dhe një nga miqtë e mi, z. Mero Baze, u sulmua në mënyrë të paprovokuar dhe të pafalshme disa net më parë. Autorët e pretenduar të këtij sulmi janë njerëz të njohur për të gjithë ne, për të gjithë ju, njerëz, në dukje, të parë si me nivel e gjykim të shëndoshë, derisa ky incident provoi të kundërtën.

Ata ishin persona që kanë qenë objekt i artikujve të z. Baze, në të cilët ai ka qenë mjaft kritik mbi gjërat që ata mendohet se kanë bërë apo jo. Por, sado të acaruar të kenë qenë ata, sado të provokuar që ta kenë ndjerë veten, në demokraci nuk ka asnjë justifikim, në kurrfarë rrethanash apo kushtesh, përdorimi i dhunës për të mos lejuar shprehjen e lirë të fjalës së shtypit. Nëse më lejohet një koment personal: Mero, unë shpresoj që të shërohesh sa më shpejt dhe t’i kthehesh punës sate”, - tha Withers.

“Shqipëria të provojë që është e denjë për NATO-n”

Ambasadori amerikan paralajmëroi se ngjarja do të ketë implikime. “Ngjarje të tmerrshme do të ndodhin në çdo kohë. Është fatkeqësi që këto ngjarje nuk mund të parandalohen përpara se të ndodhin, por prova për një shoqëri, prova për një qeverisje, prova për një komb është se si përgjigjet kur ndodhin ngjarje të tilla të papranueshme. I tillë është edhe ky moment sot për Shqipërinë. Shqipëria është një vend në prag të integrimit në disa nga institucionet më të rëndësishme, më të mirënjohura ndërkombëtare që ne kemi. Është tashmë anëtare e NATO-s dhe po përpiqet të jetë anëtare e Bashkimit Evropian. Shqipërisë i duhet të provojë se është e denjë për anëtarësinë në këto aleanca të mëdha. Dhe unë ju them sot se një provë e gatishmërisë suaj do të jetë se si institucionet e këtij vendi do t’i përgjigjen sulmit të kolegut tonë, Mero Baze”, - tha Withers.

“Duhet të marrë fund mosndëshkueshmëria”

Duke marrë si shembull dhunën e ushtruar ndaj gazetarit Besart Likmeta disa kohë më parë nga deputeti Tom Doshi, Withers tha se, pavarësisht se akti u dënua nga të gjithë, asgjë nuk ndodhi. Sipas tij, kjo gjë duhet të mos ndodhë në këtë rast.

“Unë e përshëndes deklaratën e menjëhershme të kryeministrit Berisha pas incidentit, në të cilën ai dënoi plotësisht dhe ritheksoi fort dhe në mënyrën më të qartë përkushtimin e Shqipërisë ndaj lirisë së shtypit dhe të shprehjes. Unë e përshëndes apelin e tij për hetim të plotë dhe të menjëhershëm të fakteve dhe që sistemi i drejtësisë në Shqipëri të kryejë procesin pa ndërhyrje. Unë përshëndes faktin që deklarata ishte e menjëhershme, e qartë dhe e vendosur.

Në Shqipëri ka pasur incidente të tilla edhe më parë. Ju e kujtoni që jo shumë kohë më parë, një koleg gazetar u sulmua në këtë vend, pak metra më tutje, nga deputeti Tom Doshi. Pavarësisht dënimit të gjithanshëm që iu bë në atë kohë, asgjë nuk ndodhi. Unë ju them sot se është e papranueshme që të mos ndodhë asgjë edhe këtë herë”, - tha Withers.

“Mos u dorëzoni përpara kanosjes”

Në mbyllje të fjalës së tij, ambasadori amerikan ka bërë thirrje që gazetarët të mos stepen dhe të mos frikësohen, por të vijojnë punën e tyre, pasi ata mbajnë në duar një parim kryesor të demokracisë dhe duhet të luftojnë për të.

“Unë jam në Shqipëri prej pak më shumë se dy vjetësh tashmë dhe gjatë qëndrimit tim, ambasada ime dhe unë gjithashtu, kemi qenë objekt i artikujve dhe editorialeve, ndonjëherë pozitivë e ndonjëherë kritikues. Disa muaj më parë, një gazetar i njohur shkroi një artikull mbi ambasadorët në Shqipëri, ku ai krahasonte veprimet tona me ato të ambasadorëve të Bashkimit Sovjetik dhe Kinës gjatë periudhës së komunizmit. Vetë Mero Baze ka shkruar artikuj për mua, për ambasadën, për politikën amerikane, të cilët kanë pasur një qëndrim të ashpër dhe na kanë vënë neve në provë.

Është e vështirë të lexosh ato lloj artikujsh për veten tënde dhe në shumë raste nuk jam pajtuar tërësisht me atë që gazetarët kanë thënë. Por ajo që ju them është kjo: sado që nuk jam në një mendje me ato këndvështrime, unë, si një amerikan dhe besimtar i demokracisë, do të luftoj deri në fund, do të luftoj për të drejtën e atyre njerëzve për të thënë ato që ata duan të thonë”, - tha Withers.

“Pas pak do të kem nderin që të takohem me të afërm të Musine Kokalarit. Ajo ishte një grua që dha jetën për bindjen e saj në lirinë e shprehjes së mendimeve dhe pikëpamjeve të saj. Dhe ajo e bëri këtë në një kohë shumë më tepër shtypëse sesa sot. Prandaj unë ju them sot, juve dhe bashkësisë së gazetarëve, që të përqafoni shpirtin e saj, të ngriheni me të si në krahët e shqiponjës në mbrojtje të zbatimit të ligjit dhe të drejtës tuaj të shenjtë për të thënë publikisht, hapur dhe pa frikë atë që ju besoni. Mos u dorëzoni përpara kanosjes, mos u dorëzoni përpara kërcënimeve, mos u dorëzoni përpara dhunës! Ajo që ju keni në duar nuk është thjesht një profesion, nuk është thjesht një mënyrë për të fituar jetesën. Ju mbani në duar një nga parimet më të bekuara të demokracisë. Luftoni për të, sepse ia vlen. Ia keni borxh këtë profesionit tuaj, ia keni borxh këtë kombit tuaj dhe ia keni borxh këtë vetes tuaj.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›