Apeli rikthen te Krimet e Rënda vrasjen e dy policëve të Krujës
TIRANE - Gjykata e Apelit e Krimeve të Rënda ka rikthyer sërish në Fakt çështjen e dy vlonjatëve të dënuar përjetë për vrasjen e dy policëve në Krujë në vitin 1999. Togat e zeza të Shkallës së Dytë kanë argumentuar se trupi gjykues pesanëtarësh i Faktit ka kryer shkelje procedurale në dosjen e gjykuar vitin e kaluar. për këtë shkak, Apeli ka vendosur rikthimin e dosjes sërish te Krimet e Rënda dhe gjykimin e saj nga një kolegj tjetër pesanëtarësh. Sipas prokurorisë për Krime të Rënda, e cila e hetoi këtë dosje, dy prej të pandehurve Sokol Halilaj dhe Gramoz (Dritan) Rexhepi janë ekzekutorët kryesorë të dy policëve të Krujës, ndërsa i pandehuri tjetër Shefqet Seferi është personi që ka paguar këta për krimin e rëndë. Në fund të gjykimit dy ekzekutorët Halilaj e Rexhepi, që kanë vepruar si vrasës me pagesë u dënuan me burg të përjetshëm, ndërsa Seferi u dënua 20 vjet burg. Dy efektivët e policisë së Krujës Arben Keqi dhe Durim Kasmi janë vrarë mëngjesin e 27 gushtit të vitit 1999 në qytetin e tyre në një atentat të mirorganizuar në një lokal, ku mbeti i vrarë edhe pronari i lokalit, shtetasi Raim Bakiasi. Sipas prokurorisë porositësi i krimit ishte Seferi, i cili ka luajtur rolin e ndërmjetësit mes dy të pandehurve vlonjatë dhe një personi të paidentifikuar që ka paguar për eliminimin e dy policëve. Sipas pro-kurorisë, është pikërisht Seferi, personi që ndihmoi në zbulimin dhe identifikimin e vrasësve të dy policëve të Krujës, i cili në fillim të hetimeve pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, duke zbardhur ngjarjen por pas disa muajve, i pandehuri tërhoqi gjithçka duke prishur njëkohësisht edhe marrëveshjen e bashkëpunimin që kishte me drejtësinë. Tërheqja e kësaj marrëveshjeje bëri që të pakësoheshin provat për organet e drejtësisë, ndërsa Apeli do të argumentonte se kishte mungesë provash. Prokuroria, ka pretenduar gjatë gjykimit në Fakt se vrasja e dy policëve kishte ardhur pas një grindjeje që ata kishin me një qytetar të Krujës, i cili në pamundësi për t'i ekzekutuar vetë kishte kërkuar ndihmën e shtetasit Shefqet Seferi që t'i gjente vrasës me pagesë. Ky i fundit kishte kontaktuar me dy vlonjatët Halilaj e Rexhepi dhe kundrejt një pagese që nuk është zbardhur ende sesa ka qenë, kanë kryer vrasjen e policëve krutanë. f.m.