E Shtunë, 31 Tetor 2026

Busti i ish-kryeministrit Qypriliu vihet në Roshnik

 

BERAT - Përurohet busti i ish-kryeministrit të Perandorisë Osmane Mehmet Qypriliu, në shkollën e Mesme të Bashkuar e cila mban emrin e tij në Roshnik të Beratit. Drejtori i Institutit Ndërkombëtar të Diasporës, Flamur Gashi, i cili ishte i pranishëm në këtë përurim pohoi se së shpejti edhe busti i Fan Nolit do të vihet në Turqi. Pas ceremonisë së zbulimit të bustit përshëndeti përfaqësuesi i diasporës, i cili midis të tjerësh u shpreh se Mehmet Qypriliu me kontributin e vet e çoi emrin e shqiptarëve në majat e udhëheqjes së perandorisë më të madhe të kohës. Sipas tij, kontributi i Mehmet Qypriliut dhe i pasuesve të tij të dinastisë Qypriliu në Perandorinë Osmane janë kthyer në një akt miqësie dhe lidhjesh të forta mes shtetit shqiptar dhe atij turk. "Qyprilinjtë, vërtet janë vlera aq të mëdha saqë nuk mund t'i mbajë emërimi i vetëm i një shkolle në Roshnik apo përurimi i bustit në ambientet e saj. Figura të tilla të mëdha si ajo e Qyprilinjve nga Roshniku janë unikale saqë me të drejtë mund të krenohemi si komb pasi ne shqiptarët kemi identitetin, kulturën dhe historinë tonë", u shpreh Gashi.Sipas tij, shumë shpejt do të vendoset busti i njeriut të madh të letrave shqipe, politikanit dhe ish-kryeministrit shqiptar (16 qershor 1924 - 23 dhjetor 1924), Fan Noli, në vendin ku ka kontribuar Mehmet Qypriliu, në Ibrik Tepe. Dinastia Qypriliu me origjinë nga Roshniku fillon me vezirin e madh Mehmet Qypriliu si kryeministër i Perandorisë turke në vitet 1656-1661 për të vazhduar me të tjerë drejtues kryevezirë të kësaj familjeje dhe për të ardhur në vitin 1955 me prof.dr. Fuat Qypriliu, njëri prej pinjollëve të dinastisë Qypriliu, i cili në këtë periudhë kohe të Turqisë moderne do të mbante postin e zv.kryeministrit, ministrit të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm të Turqisë.                   d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›