E Hënë, 2 Nëntor 2026

Përplasja prokurori-gjykatë çon në Mat ekspertë të KLD

 

Protesta e familjarëve të Vladimir dhe Nikolin Haxhia, të vrarë 8 vjet më parë dhe reagimi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Mat ka vënë në lëvizje Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Ministrinë së Drejtësisë. Burime të sigurta informacioni saktësojnë se kryetari i KLD-së, Prokurorja e Përgjithshme dhe ministri i Drejtësisë janë informuar nga familja Haxhia, Prokuroria e Burrelit dhe burime të tjera në kohë në lidhje me lirimin e një personi të akuzuar nga Prokuroria e Matit si vrasës i dyfishtë. Ekspertët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ata të Ministrisë së Drejtësisë kanë zbarkuar ditët e fundit fillimisht në Prokurorinë e Burrelit dhe kanë kërkuar sqarimet e nevojshme për çështjen e lirimit të Vladimir Dacit, për të cilin organi i akuzës kishte kërkuar tre javë më parë 25 vjet heqje lirie. Burime jozyrtare sqarojnë se prokurorët janë shprehur të shqetësuar në lidhje me vendimin e trupit gjykues dhe se për këtë e kanë relatuar ngjarjen në strukturat e larta të shtetit. "Ne, - janë shprehur autoritetet e Prokurorisë së Matit, - kemi siguruar prova e fakte të shumta për dy vjet me radhë në lidhje me autorin e krimit. Madje njerëz të afërm të tij kanë deponuar se ai është autori i eliminimit fizik të kushërinjve Vladimir e Nikolin Haxhia". Ajo që ka habitur ekspertët ishte fakti se edhe pas gjashtë ditësh nuk ishte zbardhur nga trupi gjykues vendimi i dhënë të premten e kaluar. "Nuk kemi në dorë asgjë, - kanë thënë përfaqësuesit e organit të akuzës. - Nuk është zbardhur ende vendimi dhe nuk dimë cilat janë argumentet e trupit gjykues në lidhje me vendimin e dhënë. Ne jemi shtangur kur vetëm 10 minuta pas fjalës së mbrojtjes gjykata nxitoi dhe dha vendimin. Sillni raportin e prokurorit këtu, sillni dhe mbrojtjen pranë trupit gjykues. Kaq ka mjaftuar që pas pak minutash të jepet vendimi absurd". Sipas prokurorëve të Matit, në kushte të tilla nuk mund të punohet dhe të vendoset drejtësia. Ekspertët e ardhur nga Tirana kanë lënë prokurorinë dhe i janë drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat. Mësohet se kanë komunikuar me drejtuesit e saj dhe pje-sëtarë të trupit gjykues si dhe kanë kërkuar kopje të vendimit të marrë. Burime të besueshme informacioni thonë se është grumbulluar materiali i duhur për t'ia vënë në dispozicion KLD-së dhe ministrit të Drejtësisë, të cilët do të gjykojnë në lidhje me këtë përplasje të fortë prokurori-gjykatë dhe gjykatë me familjet e dy të vrarëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›