Avokati i Popullit, PD e PS japin konsensusin për Totozanin
Anëtarët e majtë dhe të djathtë në Komisionin Parlamentar të ligjeve kanë miratuar dje me konsensus të plotë kandidaturën e Igli Totozanit për postin e Avokatit të Popullit. Në një mbledhje jashtë radhe, deputetët dëgjuan projektin e kandidatit Totozani për reformimit e institucionit që do të drejtojë. Duke e ndarë në pesë pika, Totozani paraqiti strategjinë e drejtimit të institucionit të Avokatit të Popullit.
Pavarësia e institucionit, transparenca, nxitja e bashkëpunimit me pushtetin qendror dhe lokal, nxitja e respektimit të drejtave të njeriut dhe bashkëpunimi me medias do të qëndrojnë, sipas Totozanit, në themel të punës së tij. Një nga elementët e parë, që do të fusim në punën tonë është elementi i qeverisjes së mirë, transparenca, efikasiteti, pjesëmarrja, koherenca, përgjegjësia e përgjegjshmëria. Avokati i Popullit, si një nxitës për përmirësime legjislative në fushën e veprimit të tij, por edhe duke pasur parasysh, që të drejtat evoluojnë dhe shpesh herë dalin hapësira të tjera, që duhen të mbushen- u shpreh para komisionit, Igli Totozani, i cili është marrë edhe më parë me çështjet e të drejtave të njeriut.
Kandidati Totozani u vlerësua për karrierën e tij të deritanishme, por në radhët e demokratëve nuk munguan as kritikat për procedurën e ndjekur. Sot ne jemi duke vendosur një standard të ri politik. Ne mund të emërojnë në poste kushtetuese dhe kandidatë që militojnë qartësisht në radhët partiake në krahët e njërit apo tjetrit, tha deputeti i PD, Enlelejd Alibeaj. Nënkryetari i Komisionit të Ligjeve. Fatmir Xhafaj sqaroi se pavarësisht propozimit prej PS-së, kandidati Totozani nuk ka qenë anëtar apo të ketë mbështetur ndonjë forcë politike. Zoti Totozani për asnjë ditë nuk ka qenë anëtar i Partisë Socialiste, nuk ka milituar në asnjë lloj forme apo mënyre në strukturat partiake apo mbështetëse të Partisë Socialiste. Është qartësisht i pastër si një personalitet i shoqërisë civile,- shpjegoi Xhafaj.
Duke mos e cilësuar të nevojshëm votimin për shkak të konsensusit të plotë, kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali kaloi për në seancën e sotme plenare votimin e kandidaturës së Igli Totozanit për Avokat të Popullit. Sipas marrëveshjes PD-PS, kandidatura për Avokatin e Popullit do të propozohej nga opozita. PS përzgjodhi përmes një komisioni të ngritur për vlerësimin e 33 kandidaturave, Igli Totozanin si kandidatin e mundshëm për të plotësuar vendin e mbetur bosh. Prej dy vjetësh, vendi i Avokatit të Popullit ka mbetur vakant, për shkak të mungesës së konsensusit politik.
5 pikat e programit
Qeverisja e mirë që ka të bëjë me futjen e pesë elementëve që janë transparenca, efikasiteti, pjesëmarrja koherenca përgjegjësia dhe përgjegjshmëria.
Dialogu dhe bashkëpunimi me institucionet qendrore dhe lokale
Avokati si nxitës për përmirësimin e respektimit të drejtave të njeriut
Ndërtimi i një strategjie intensive me komunikimin me median për trajtimin e çështjeve
Ruajtja e pavarësisë së institucionit
Debatet e plota
Ilir Rusmali: Kandidatura e Igli Totozanit është mbështetur, propozuar nga 28 deputetë të Kuvendit siç e kërkon rregullorja Është e shoqëruar me deklaratën e kandidatit që jep pëlqimin për kandidaturën e tij si dhe është shoqëruar dhe nga CV e bollshme e kandidatit. Konstatoj se plotësohen të gjitha kushtet formale për zhvillimin e kësaj mbledhjeve dhe për ti hapur rrugën seancës dëgjimore me kandidatin Totozani.
Mesila Doda: Çfarë mendoni të përmirësoni në punë e Avokatit të Popullit?
Igli Totozani: Vizioni i Avokatit të Popullit është një vizion i lidhur drejtpërdrejt me punën e administratës. Është përcaktimi i fushave prioritare për Avokatin. Unë kam përcaktuar disa fusha ku mund të ndërhyhet, por kjo kërkon ekspertizë më të hollësishme nga institucioni.
Ilir Rusmali: Unë do të doja një analizë jo personale, por botëkuptimore nga ju. Kjo mënyrë përzgjedhje a e paragjykon kandidaturën, po ose jo dhe pse? Çështja e dytë cilat do të ishin argumentet që ju do të përdornit në këtë kontekst kundër skeptikëve ndaj kandidaturës suaj?
Igli Totozani: Besoj që ka dhënë produktet e veta. Ka pasur njohje dhe miratim ndërkombëtar dhe ka pasur suksesin e duhur. Mendoj se një procedurë e tillë do të ishte e mirë të ndiqej. Nëse do të paragjykohet kandidatura?! Ne jemi në një vend ku paragjykimi ka terren dhe sigurisht edhe kandidatura ime mund të paragjykohet. Por, besoj se me kohën kjo sdo të ndihet e këtë do e vërtetojë puna si një institucion i pavarur nga politika.
Enkelejd Alibeaj: Shpresojmë që Avokati, me kalimin e kohës të krijojë një fillesë politike neutrale. Unë besoj se do të ishte sfida më e madhe. Vota ime do të jetë pro në seancën e Kuvendit
Famir Xhafaj: Ajo që më befasoi është që kolegu Alibeaj është dakord me kandidaturën, me cv e kandidatit, dakord me procesin që ka realizuar, por nuk është dakord me konsensusin.
Dritan Shehu: Unë mendoj se kandidati i përmbush elementët e duhur për këtë post. Mendoj se pavarësisht backgroundit politik që ka, jam i bindur dhe duke njohur kandidatin, që në background-in e tij familjar dhe personal, jam i bindur se do të dijë ta kapërcejë këtë prejardhje politike për të kryer me sukses dhe pozitivistet detyrën e tij të re.
Pandeli Majko: Po ju them se nuk është aq i majtë sa ju duket. Interesohuni për ata që vijnë nga familje të përndjekura për mbiemrin Totozani që vjen nga një mbiemër i respektuar dhe nuk është përkëdhelur nga regjimi i kaluar. Njerëz të tillë që e dinë se çfarë do të thotë padrejtësi dhe që e kanë ndjerë në familjen e tyre, i bëjnë nder Avokatit të Popullit.
Ilir Rusmali: Ne mund të deklarojmë se ky komision e miraton me konsensus dhe i kërkoj relatores që ta theksojë në raport. Ska nevojë për votim.
Parlamenti voton sot për Avokatin e Popullit
Kuvendi i Shqipërisë pritet të zgjedhë sot Igli Totozanin në postin e Avokatit të Popullit. Pas kalimit të kandidaturës së propozuar nga Partia Socialiste në Komisionin e Ligjeve, deputetët do të duhet të japin konsensusin e tyre për zgjedhjen e drejtuesit të një institucioneve të pavarura. Propozimi i socialistëve është futur në axhendën e sotme të seancës plenare. Kandidatura e Igli Totozanit do të votohet pas diskutimit të projektligjeve dhe do të kërkojë të paktën 84 vota që të miratohet. Pas miratimit të kandidaturës, Avokati i Popullit bën betimin para Kuvendit. Formula e betimit është: Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do të mbroj kurdoherë liritë dhe të drejtat themelore të njerëzve pa dallim, në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë. Pas marrjes së detyrës, Avokati i Popullit do të ushtrojë funksionin e tij për një periudhë prej pesë vjetësh me të drejtë rizgjedhjeje.
Procesi i përzgjedhjes së kandidaturës për Avokatin e Popullit ka kaluar në disa faza. Fillimisht është ngritur një komision ad-hoc i përbërë nga Eglantina Gjermeni, Besnik Bare, Astrit Beci, Mimoza Hafizi, Gëzim Tushi, Luan Omari dhe Vangjel Kosta. Ky komision kishte për detyrë që për një afat një mujor të organizonte procedurat për një garë transparente dhe të nxjerrin kandidatin më të mirë që do ti propozohej Kryesisë së PS-së së bashku me raportin përkatës. Në fazën e parë të konkurrimit morën pjesë 33 kandidatë, të cilët dorëzuan CV-në e tyre dhe dokumente të tjera që do të ndihmonin komisionin përzgjedhës të zgjidht
