Avokati i Popullit: Rikonstruksion dhomave të shoqërimit në komisariatin e Delvinës
TIRANË - Zyra e Avokatit të Popullit ka kërkuar marrjen e masave për rikonstruksionin e dhomave të shoqërimit në Komisariatin e Policisë së Delvinës. Sipas burimeve zyrtare nga Zyra e Avokatit të Popullit, rekomandimi është bërë pas një inspektimi të zhvilluar në Komisariatin e Policisë së Delvinës, ku konstatoi se ambientet e shoqërimit nuk i plotësonin standardet e duhura. Gjithashtu, nga ana e Avokatit të Popullit mësohet se është sugjeruar edhe krijimi i dhomave të veçanta për të mitur dhe femra, sipas konceptimit të bërë nga ligji i ri “Për Policinë e Shtetit” në këtë Komisariat. Rekomandimet e mësipërme i janë bërë të ditura Drejtorit të Policisë së Qarkut Vlorë, Vehbi Bushati.
Masakra e Cërrikut, Gjykata vijon me pyetjen e të pandehurve
Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda, vijoi sot me pyetjen e të akuzuarve për masakrën e vitit 1997 në Cërrik, kur si pasojë e një sulmi me armë zjarri u vranë 6 punonjës të Gardës së Republikës, ndërsa disa të tjerë mbetën të plagosur. Gjatë kësaj seance, foli i pandehuri Llazar Bicja, i cili mbajti qëndrim mohues ndaj akuzës së ngritur ndaj tij nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Ndërsa, përfaqësues të prokurorisë konfirmuan se, dispononin prova të mjaftueshme për të provuar autorësinë e të pandehurve në ngjarjen e rëndë të Cërrikut. Ndër të tjera, prokuroria mësohet se, ka siguruar dëshminë e njërit nga të pandehurit e procesit Bujar Buzani, i cili ka pranuar të flasë mbi rrethanat e ngjarjes dhe përgjegjësit e saj. Të pandehur në këtë proçes janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Entel Gashi si dhe Bujar Buzani, i cilësuar si i penduari i bandës. Këta persona, tashmë të arrestuar, akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës si dhe plagosjen e disa efektivëve të Policisë së Shtetit afro 12 vjet me parë në qytezën e Cërrikut.
29 Prill 2009