Shkon për të vjedhur në Kombinat, gjendet i karbonizuar 27-vjeçari
Elbasan – Është gjendur në orët e para të paradites së djeshme i karbonizuar trupi i një 27-vjeçari në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit. Sipas të dhënave paraprake për gazetën, personi në fjalë ka shumë mundësi që të gjendej në atë zonë për të vjedhur dhe është gjendur papritur në korrent me energjinë elektrike, e cila i ka marrë menjëherë jetën. Policia bën të ditur se është duke ndjekur ngjarjen me imtësi dhe duke hetuar për të gjitha shkaqet që e shkaktuan atë.
Fshihnin lëndë narkotike në servis, kapen në flagrancë nga policia 3 persona
Durrës – Forcat policore të Durrësit kanë mundur të kapin në flagrancë tre persona, të cilët posedonin lëndë narkotike. Sipas të dhënave për gazetën, ata janë 35-vjeçari Lulëzim Selimi, 33-vjeçari Gentian Shkodra dhe 27-vjeçari Fatmir Peqini, që të tre banorë të qytetit të Durrësit. Arrestimi i tyre u bë sepse në servisin e tyre, në afërsi të Urës së Dajlanit, në lagjen nr.17 Durrës, janë kapur në flagrancë me 20.75 lëndë narkotike të llojit “Canabis Sativa”, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Durrësit për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 283/2 i Kodit Penal.
29 Prill 2009