Elbasan, takim për ndalimin e kultivimit të bimëve narkotike
Elbasan - Qarku i Elbasanit që nga viti 2008 e në vazhdim është ndër qarqet, ku është thuajse në eliminim kultivimi i bimëve narkotike. Ky fakt u bë i ditur gjatë mbledhjes së organizuar sot nga Prefekti i qarkut të Elbasanit, me përfaqësues të policisë, drejtorisë së pyjeve, Drejtorisë Rajonale të Arsimit si dhe tre nënprefektëve të qarkut. “Në qarkun e Elbasanit rasti i kultivimit të bimëve narkotike, kryesisht të kanabiss sativa ka ndodhur që në vitin 2007, ku u evidentuan vetëm dy raste. Deri tani në qarkun tonë nuk është evidentuar asnjë rast i këtij fenomeni”, -tha Prefekti i qarkut të Elbasanit, Shefqet Deliallisi. Në këtë kuadër, u ngrit një grup pune, që do të ketë si objektiv, sensibilizimin e gjithë komunitetit, për të denoncuar çdo rast të kultivimit të bimëve narkotike, si dhe marrjen e masave parandaluese për kultivimin e tyre. Sipas nëndrejtorit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Elbasanit, Ylli Metko, “nga viti 2008 e deri tani, nuk është evidentuar asnjë rast i kultivimit të bimëve narkotike, që është si rezultat i punës parandaluese dhe bashkëpunimit me të gjithë strukturat e pushtetit vendor në qark, komuna dhe OJF". Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Pyjeve, Haxhi Murati shprehu gadishmërinë për ushtrimin e kontrolleve në këto zona për të parandaluar këtë problem. “Me kërkesat e forta që kemi në të ardhmen për të luftuar kultivimin e bimëve narkotike, kemi besim të plotë se në qarkun e Elbasanit nuk do të ketë asnjë rast kultivimi, duke e zhdukur një herë e përgjithmonë nga harta”, -deklaroi prefekti i Qarkut të Elbasanit Shefqet Deliallisi në fund të këtij takimi.
29 Prill 2009