E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektorët e bujqësisë së qarkut, shtojnë masat e sigurisë në pikat kufitare



Gjirokastër - Drejtoria Rajonale e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit për qarkun e Gjirokastrës ka marrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e gripit të derrit, duke forcuar kontrollet në dy pikat kufitare me Greqinë, Kakavijë (Gjirokastër) dhe “Tre Urat” (Përmet). Shemso Lame, kryeveterineri i qarkut të Gjirokastrës pranë Drejtorisë Rajonale e Bujqësisë dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, ka pohuar të martën për gazetën se “qysh prej ditës së djeshme janë marrë të gjitha masat për të parandaluar futjen e gripit të derrit ndërmjet dy vendkalimeve kufitare, duke shtuar kontroll të vazhdueshëm nga importet e kafshëve të gjalla”. Sipas tij, në të dyja vendkalimet kufitare të jug të vendit, inspektorët po zbatojnë me përpikëri raportin e OIE (World Organisation for Animal Health), duke mos përjashtuar as urdhrin e brendshëm të dikasterit qendror. Gjithashtu, masat për parandalimin dhe identifikimin e të ashtuquajturës “influenca e derrit” kanë vijuar edhe në tre rrethet e qarkut të Gjirokastrës. “Situata epizotike në qarkun e Gjirokastrës monitorohet në mënyrë të rreptë”, - thotë kryeveterineri Lame, duke nënvizuar se, çdo ditë inspektorët raportojnë për gjendjen shëndetësore të kafshëve të gjalla, sidomos së rritjes së derrit. Në prefekturën e qarkut të Gjirokastrës ekzistojnë pesë komplekse të rritjes së derrit, nga këto dy në Komunën e Dropullit të Poshtëm, dy në komunën e Odrie dhe një në rrethin e Përmetit.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›