E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrë e grua të moshuar, kapen si tregtarë kokaine në Tiranë



Tiranë – Një burrë dhe një grua në moshë të thyer janë zbuluar të ishin trafikantë drogash të forta dhe dje policia komunikoi arrestimin e tyre. Burime zyrtare nga seksioni Kundër Drogës, pranë Policisë së Tiranës, thanë për agjencinë e lajmeve NOA se kanë mundur të identifikojnë, në sajë të posedimit të informacioneve operative dy të moshuarit që trafikonin kokainë.
Policia arrestoi Kadri Kadriaj, 67 vjeç dhe Fiqirete Kadriaj, 62 vjeçe, që të dy, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.
Ata akuzohen për konsumim të veprës penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”. Arrestimi i tyre u krye gjatë një kontrolli të imtësishëm të ushtruar në banesën e tyre, ku u gjetën një sasi prej 5.5 gramë, drogë e fortë, e llojit Kokainë, e cila ishte e ndarë në 6 copë porcione. Policia tha se në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 5.5 gramë lëndë narkotike kokainë, një peshore elektronike, dy aparate telefoni celularë, si dhe shuma parave prej 212 500 lekësh.

Policia e Durrësit arreston në Vlorë të kërkuarin për atentat ndaj 25-vjeçarit

Durrës – Një djalë i ri është arrestuar dje në Vlorë, ku fshihej pasi ishte shpallur në kërkim, nën dyshimet se kishte kryer atentat ndaj një 25-vjeçari, ngjarje kjo e ndodhur para disa ditësh në Shijak. Korrespondenti i agjencisë së lajmeve NOA, informon se është arrestuar Ismail Nuredini, 22 vjeç, lindur e banues në Shijak. Arrestimi i tij u bë nga Sektori Kundër Krimeve te Renda i cili në bashkëpunim me Sektorin Operacional dhe Kërkimit ne Drejtorinë e Policisë Durrës e ndoqën të dyshuarin deri në Vlorë ku edhe sot, i vunë prangat. Policia konfirmoi se në momentin e prangosjes, i riu në kërkim, po qarkullonte i vetëm me një autoveturë, pronë e të afërmve të tij. Ismail Nuredini akuzohet se më 5 prill të këtij viti, në qytetin e Shijakut, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri duke i shkaktuar dëmtime në këmbë, 25-vjeçarit shijakase, Olsi Ferizi. Pas kapjes në Vlorë, i riu Nuredini do të përballet me drejtësinë në Durrës pasi mbi të rëndojnë akuzat e “vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”.

29 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›