E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit: Të mitur e madhorë, bashkë në qelitë e Komisariatit Pogradec



Dhomat e sigurisë dhe shoqërimit në Komisariatin e Policisë së Pogradecit kanë nevojë për rikonstruksion, pasi jo vetëm që nuk plotësojnë standardet normale, por mungojnë edhe dhoma të veçanta për të miturit dhe femrat e proceduara për vepra të ndryshme penale. Rekomandimi bëhet nga institucioni i Avokatit të Popullit pas një inspektimi të bërë më 29 janar 2009 në këtë komisariat. Sipas raportit të Avokatit të Popullit, dhomat e sigurisë në këtë komisariat ndodheshin në një godinë më vete, me dimensione të njëjta, 3.5x3m2, me dritare të vogla, ndriçim dhe lagështi jashtë standardit normal. Grupi i inspektimit konstatoi gjithashtu se mungonin dhomat e veçanta për të mitur dhe femra, në përputhje me konceptimet e bëra në ligjin e ri nr. 9749, dt. 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”. Sipas raportit, kishte pasur raste kur të arrestuarit e mitur janë mbajtur bashkë me të arrestuarit madhorë dhe veprimet ndaj tyre kryheshin në zyrat e punonjësve të policisë, ndërsa femrat mbaheshin në korridor, ose në zyrat e oficerëve të Policisë Gjyqësore. Rekomandimi iu bë i ditur drejtorit të Policisë së Qarkut Korçë, Emri Vata dhe shefit të Komisariatit të Policisë Pogradec, Sokol Noka.

Konstatimi

Referuar konstatimeve të Avokatit të Popullit gjatë inspektimit, rezulton se dhoma shoqërimi kishte 4, të cilat ndodheshin në hyrje të territorit të komisariatit, në një ndërtesë 1-katëshe, e shkëputur nga godina qendrore. Dhoma e parë ishte me dimensione 3x2.5 m2, me një dritare me dimension 120x70 cm2, nga e cila nuk sigurohej ndriçim normal, me derë druri, e lyer, me dy karrige dhe e pastër. Dhoma e dytë ishte me dimensione 1.5x1.5 m2, në errësirë të plotë, pasi ishte pa dritare, pa ndriçim, me derë hekuri me dryn, pa karrige (stola), e palyer dhe e papastër. Dhoma e tretë ishte e njëjtë me dhomën e dytë, sepse edhe ajo ishte me dimensione 1.5x1.5 m2, në errësirë të plotë, pa dritare, pa ndriçim, me derë hekuri me dryn, pa karrige (stola), e palyer dhe e papastër. Dhoma katër ishte me dimensione 3x2 m2, me një dritare me dimension 120x70 cm2, nga e cila nuk sigurohej ndriçim normal, me derë hekuri me dryn, e palyer, pa ndriçim, pa karrige (stola) dhe e pastër. Banja ishte me dimensione 120x120 cm2, pa dritare, pa derë, pa ndriçim, e papastër, ndërsa kishte ujë. Dhomat 2, 3 dhe 4 kufizoheshin në korridor me një zgarë hekuri me dryn. Gjatë inspektimit është konstatuar se nuk kishte ambient ajrimi më vete sipas standardeve që kërkon rregullorja e dhomave të sigurisë, si dhe nuk kishte dushe për t’u larë. Dhomat kishin pajime si dyshekë e batanije, ndërsa pastërtia linte shumë për të dëshiruar. Kushtet në tualet ishin jashtë standardit normal të përdorimit. Nisur nga konstatimet e mësipërme, por edhe të tjera lidhur me procedurat e ndalimit, njoftimit të familjarëve apo mbajtja tej kohës së përcaktuar për të ndenjur në paraburgimin e komisariateve, Avokati i Popullit kërkon përmbushjen e këtyre elementëve në bazë të ligjit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›