Bashkëpunimi shqiptaro-malazez, 25 persona të arrestuar për drogë
Policia shqiptare dhe ajo malazeze kanë bashkëpunuar ndërmjet tyre, duke çuar në arrestimin 25 personave për trafik të lëndëve narkotike. Sipas burimeve nga policia, hetimi për arrestimin e këtyre personave kishte disa muaj që ka filluar, por ditën e djeshme, falë bashkëpunimit ndërmjet dy policive, është bërë i mundur përfundimi me sukses i këtij operacioni. Ndër personat e arrestuar është një oficer policie i Malit të Zi dhe një zyrtar i Agjencisë së Sekuestrimit të Pasurive. Ndërmjet personave të arrestuar janë edhe organizatorët e grupeve trafikante, ndërkohë që aksioni është planifikuar dhe ka përfunduar në territorin e Malit të Zi. Nga hetimet dyshohet se shtetasit e arrestuar për një kohë të gjatë kanë trafikuar drogë (kanabis sativa) nga Shqipëria nëpërmjet territorit të Malit të Zi, Bosnjës, Kroacisë dhe në vendet e Evropës Perëndimore. Ky operacion u parapri nga një takim i zyrtarëve të Policisë së Malit të Zi, Prokurorit Special të Luftës Kundër Krimit të Organizuar me drejtues të lartë të Policisë Shqiptare dhe përfaqësues të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në këtë takim, të dyja palët shkëmbyen informacione, të cilat çuan në përfundimin me sukses të këtij operacioni. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se këta persona gjatë vitit 2008 dhe fillimi i vitit 2009 kanë trafikuar një sasi të konsiderueshme kanabis sativa.
Në momentin e arrestimit janë sekuestruar 35 kg kanabis sativa, 70 mijë euro dhe 7 automjete.