E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat: Biznesi të lajë borxhin, falim kamatëvonesën



Dogana ka ftuar biznesin të derdhë paratë që u ka doganave borxh dhe për këtë, atyre iu falen të gjithë kamatëvonesat. Por kjo falje e kamatëvonesave bëhet vetëm nëse biznesi do të bëjë shlyerjen e detyrimeve deri më datë 7 prill 2009. Pas datës 7 prill, ato biznese që nuk kanë shlyer borxhin, që u kanë doganave, do të detyrohen ta paguajnë atë bashkë me kamatëvonesat. Ndaj, administrata doganore i ka ftuar bizneset të nxitojnë të derdhin në arkën e doganave detyrimet e prapambetura. Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Përparim Dervishi, në takimet që ka zhvilluar herë pas here me komunitetin e biznesit, u ka bërë thirrje atyre të paguajnë tek doganat borxhin që ata kanë. Bizneset duhet të shlyejnë detyrimet doganore, pasi fushata për faljen e borxheve dhe të kamatëvonesave, e njohur ndryshe si "amnistia fiskale", përfundon në fillim të muajit prill. Në fillim të muajit nëntor filloi zbatimi i ligjit që shkarkonte nga detyrimet e prapambetura një numër të madh subjektesh. Bëhet fjalë për rreth 2.5 miliardë lekë që bizneset u detyrohen vetëm Doganave. Por, sipas ekspertëve, falja e borxheve dhe kamatëvonesave të biznesit, “përkthehet” si një përfitim shumë më i madh, përmbi 5 miliardë lekë. Biznesit iu lanë 6 muaj kohë për të përmbushur detyrimet e tyre ndaj Doganave. Borxhi i biznesit kundrejt administratës doganore në total arrin në 5 miliardë lekë, ndërsa bizneset janë të detyruara të paguajnë principalin që arrin në vlerën e 2.5 miliardë lekëve. Borxhi i akumuluar llogaritet që nga viti 1992, ndërsa llogaritet si borxh i humbur ose i thënë ndryshe "i shuar", për arsye të ndryshme, vlera prej 1.7 miliard lekësh. Ligji për faljen e borxheve hyri në fuqi në nëntor të vitit të kaluar, i cili parashikon të falen detyrimet e subjekteve, të cilat figurojnë debitore ndaj administratës tatimore-doganore në database-n e tyre, por që në fakt për këto subjekte nuk ka njoftim vlerësimi, nuk ka akt administrativ, i cili vërteton që ky është borxh dhe që është debitor ndaj administratës. Ka subjekte që nuk e kanë këtë akt vlerësimi me borxh dhe figurojnë vetëm në database-n e administratës doganore dhe tatimore. Me këtë ligj, këto subjekte çlirohen nga ky borxh, jo se u falet borxhi, por i jepet e drejta Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Doganave që ta heqin nga ky database. Kjo ndodh për shkak të ndryshimit të administratave dhe nuk janë bërë kalkulimet e duhura, pasi kanë ndryshuar emrat e subjekteve. Ky nen ndihmon për të pastruar edhe datebase-n e administratës tatimore dhe doganore. Në bazë të ligjit për procedurat tatimore, administrata tatimore ka të drejtën e parashtrimit, ku brenda 6 vjetëve nëse një subjekt është debitor, kanë të drejtën që brenda këtyre viteve të ushtrojnë gjithë instrumentet për ta vjelë këtë borxh. Kurse në bazë të Kodit Doganor, administrata doganore periudhën e parashtrimit e ka 3 vjet. Kjo është marrë si bazë kur flitet për falje të detyrimeve doganore tatimore. Të gjitha subjekteve që janë debitore ndaj administratës doganore dhe tatimore, që u ka kaluar e drejta e parashtrimit, 6 për tatimet dhe 3 për doganat, me këtë ligj u fal atyre 100 për qind interesat, 100 për qind gjobat, me kusht që ata të paguajnë principalin pranë administratës tatimore dhe doganore. Ky detyrim, sipas specialistëve të financave, nuk është i vogël, pasi interesat dhe gjobat kanë një vlerë të konsiderueshme, kur borxhi ka vite që akumulohet. E njëjta gjë është dhe për subjektet doganore, që e kanë 3 vjet periudhën e parashtrimit. Nëse supozohet që ligji hyn në fuqi në korrik 2008 dhe nëse një subjekt është debitor ndaj administratës tatimore dhe i ka lindur ky borxh në 01.06.2002, këtij subjekti i ka kaluar e drejta e parashtrimit. Në këtë rast, këtij subjekti i falet 100 për qind gjoba dhe 100 për qind interesi, me kusht që ai të paguajë principalin. E njëjta gjë vlen edhe për doganat, nëse subjekti është debitor më 01.06.2002, pra i kaluar 3 vjet, atëherë sipas projektligjit të ri, subjektit i falet 100% interesi dhe 100% gjoba. Elementi i tretë i faljes është kur subjekti ndodhet brenda periudhës së parashtrimit, p.sh. i vitit 2005, 2006, 2007 që kanë tatimet, në këtë rast shteti i fal 50% interesa, 100% gjoba, me kusht që të paguajë principalin dhe pjesën tjetër prej 50 për qind të interesave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›