E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Popullit dhe gjykatat, kundër draftit

Autori i Lajmit: Suela Topi
Sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit kërkoi më shumë të ardhura për shpenzime operative por edhe investime. Sipas tij, ngritja e mekanizmit për parandalimin e torturës ka shtuar inspektimet e Avokatit të Popullit në burgje dhe në rajonet e policisë. Por të gjitha këto, sipas tij, duhet të mbulohen me shpenzime të reja

Projektbuxheti i vitit 2009 duket se nuk ka kënaqur Avokatin e Popullit apo gjykatat. Gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar në Komisionin e Ligjeve sekretari i Përgjithshëm i zyrës së Avokatit të Popullit kërkoi rreth 28 milionë lekë më shumë nga fondi i parashikuar në projektbuxhetin e Qeverisë. Sipas tij, ky institucion, vit pas viti, trashëgon borxhe, prandaj është e nevojshme rritja e fondit për të. Sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit shpjegoi se fondi i kërkuar prej tyre synon të përdoret, saktësisht: 19 milionë për investime dhe 9 milionë të tjera për shpenzime operative, ku një vend të veçantë zë një strukturë e re që është ngritur pranë Avokatit të Popullit, siç është ajo për parandalimin e torturës. Por këto argumente nuk u mbështetën nga Ministria e Financave. Drejtoresha e buxhetit në këtë ministri, Mimoza Dhëmbi, tha se fondi për strukturën e re pranë Avokatit të Popullit është parashikuar që në vitin 2008. Ndërkohë që të pakënaqur nga ky buxhet ishin dhe gjyqtarët. Kreu i Gjykatës së Apelit në Tiranë, Albert Meçe, pohoi se në buxhetin 2009 gjykatat merrnin 24 për qind më shumë të ardhura se vitin e kaluar, por këto ishin parashikuar kryesisht vetëm për pagat në kuadër të reformës në këtë sektor dhe nuk janë plotësuar kërkesat e bëra për investime dhe shpenzime operative.
Avokati i Popullit
Sekretari i Përgjithshëm i Avokatit të Popullit kërkoi më shumë të ardhura për shpenzime operative por edhe investime. Sipas tij, ngritja e mekanizmit për parandalimin e torturës ka shtuar inspektimet e Avokatit të Popullit në burgje dhe në rajonet e policisë. Pro të gjitha këto, sipas tij, duhet të mbulohen me shpenzime të reja, ndërkohë që probleme ka dhe me pagimin e honorareve apo edhe për tabulatet telefonike. “Përveç kësaj, çdo vit trashëgojmë 1 deri në 2 milionë lekë borxh nga viti i mëparshëm”, - shtoi ai. Por drejtoresha e buxhetit në Ministrinë e Financave sqaroi se mekanizmi për parandalimin e torturës është ngritur që në vitin 2008 dhe fondi për të është parashikuar që një vit më parë. Ndërsa theksoi se fondi për këtë institucion është rritur nga 18 milionë në 21 milionë lekë. Kërkesa për më shumë fonde lidhur me mekanizmin për parandalimin e torturës është mbështetur dhe nga deputetja demokrate Arenca Trashani, ndërsa socialisti Besnik Dervishi pohoi se do të vlerësojnë relacionin në mbështetje të Avokatit të Popullit.
Gjykata
“Në krahasim me vitin 2008 kemi një rritje prej 24 për qind të buxhetit për këtë sektor. Por kjo rritje shkon e gjitha për paga dhe investime ndërkohë që kemi 4 për qind më pak të ardhura për investime dhe 8 për qind më pak për shpenzime operative në krahasim me atë që ne kemi kërkuar”, - shpjegoi kryetari i Gjykatës së Apelit, Albert Meçe. Sipas tij, numri i çështjeve gjyqësore, i cili rritet me 10 për qind, nuk parashikohet drejt në këtë buxhet. Për më tepër, ai theksoi se buxheti i vitit 2009 nuk merr parasysh masterplanin që synohet të zbatohet në këtë sektor. Ndërkohë që Dhëmbi sqaroi se buxheti i 2009-ës parashikon qartë rritjen e pagave, por dhe rritjen e investimeve apo shpenzimeve operative. Sipas saj, fondi për investimet parashikohet 3 herë më i lartë se një vit më parë nga 60 milionë në 2008 në 164 milionë në 2009, ndërsa shpenzimet operative janë rritur nga 240 milionë në 270 milionë. Edhe pse vlerësoi këto rritje, kryetarja e zyrës së administrimit të buxhetit gjyqësor, Luljeta Laze, u shpreh se nevojat në kuadër të masterplanit janë shumë më të mëdha. Këto kërkesa u kritikuan nga zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, sipas të cilit, gjyqësori vazhdon të mbajë të bllokuara 60 milionë lekë të këtij viti. Laze siguroi se ky fond do të përdoret 100 për qind deri në fund të vitit.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›