E Shtunë, 31 Tetor 2026

Onufri 2008 , më 29 dhjetor në Galerinë Kombëtare të Arteve

Autori i Lajmit: red.
Ekspozita Ndërkombëtare e Arteve Pamore “Onufri 2008”, do të prezantohet në edicionin XV të saj në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Tiranë më 20 dhjetor. Në këtë ekspozitë, e cila do të qëndrojë e hapur për gjashtë javë, drejtimi kuratorial i është besuar italianit Rikardo Kaldura, një personalitet i njohur artistik në Itali. "Në këtë edicion nuk do të ketë një temë të dhënë paraprakisht që artistët do ta ndjekin, por kuratori italian do të bëjë kërkimet e tij personale mbi zhvillimet, dinamikat, problematikat e skenës së artit bashkëkohor në Shqipëri dhe ekspozita do të jetë rezultat i këtyre kërkimeve",- bëri të ditur dje në një konferencë për shtyp drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Rubens Shima. Ndërsa kuratori Rikardo Kaldura tha se për këtë edicion të çmimit "Onufri" nuk ka një temë të dhënë, por ka një kërkim për artin bashkëkohor shqiptar. Ai tha se “ka disa çështje që paraprijnë këtë zhvillim, mbi marrëdhëniet midis mediave të reja dhe mediave bashkëpublikuese, dhe aftësia për të vëzhguar realitetin publik dhe social në Shqipëri të këtyre artistëve”. Kaldura tha se çështja për artin e sotëm është ajo që artistët po punojnë mbi aspektin social të artit. Ai tha se "ata janë të kujdesshëm mbi aspektin social, publik dhe aspektin privat të jetës sociale, por e rëndësishme është që këto të vihen në funksion të punës, jeta e përditshme është ajo që vihet në plan të parë si observim i këtyre artistëve, pra krijohet një lidhje me dimensionin e ri të artit, që është një këndvështrim i ri që shikon aspektet kontradiktore të jetës së përditshme". Në këtë kuptim, ai tha se arti kontemporan shqiptar mund të shikohet thjesht si një fillim i ri, që arrin të shikojë dhe të kaluarën, ndërton një horizont të ri për të ndërtuar mbi të ndryshimet e thellësishme që i përjetoi shoqëria shqiptare. Rikardo Kaldura ka një njohje të konsiderueshme të skenës artistike shqiptare, sepse e ka vizituar disa herë Shqipërinë. Aktualisht mban postin e Docentit për Fenomenologjinë e Arteve Bashkëkohore në Akademinë e Arteve të Bukura të Venecias dhe është drejtor i Galerisë Bashkiake “Galleria Contemporanea” të Venecias. Në qershor 2007, ai ka organizuar një ekspozitë të artit bashkëkohor shqiptar në galerinë që drejton.
Ky lajm është publikuar: 19/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›