E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kërkon strategji kundër gjakmarrjes

Autori i Lajmit: red.
Fenomeni i gjakmarrjes në vendin tonë është vlerësuar si tepër shqetësues nga presidenti Bamir Topi. Në një takim me krerë të drejtësisë, Presidenti kërkoi hartimin e një strategjie të qartë kombëtare që do të parandalonte fenomenin që ekziston prej shekujsh në Shqipëri. Në kuadër të kësaj politike, Kreu i Shtetit thirri dje në Pallatin e Brigadave mbledhjen e Këshillit Koordinues në Luftën kundër Gjakmarrjes. Në krye të takimit, presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë që ka funksionimi i këtij Këshilli për të vënë në punë të gjitha strukturat shtetërore për një përfshirje jo thjesht ligjore në luftën kundër këtij fenomeni mjaft kompleks, që përbën një anomali në fazën integruese ku ndodhet vendi. Kryetari i Shtetit nënvizoi qëllimin e punës së këtij Këshilli, pikërisht evidentimin e drejtimeve për hartimin e strategjisë kombëtare për luftën kundër gjakmarrjes, përcaktimin e detyrave për organet e qeverisjes qendrore dhe asaj vendore si dhe nxitjen e koordinimit e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave jofitimprurëse kundër fenomenit të gjakmarrjes. Në mbyllje të takimit, presidenti Topi ka nënvizuar se edhe për fenomenin e gjakmarrjes, dominant duhet të jetë shteti i së drejtës dhe veprimi i koordinuar i ligjit, kudo e ndaj kujtdo, për çdo fenomen të kriminalitetit. ”Pa një veprim të koordinuar dhe me afate të përcaktuara që përfshin dhe kërkon kontributin e të gjitha institucioneve: Kuvendit, Këshillit të Ministrave, organeve të sigurisë kombëtare, pushtetit vendor dhe drejtësisë, lufta kundër gjakmarrjes, nuk mund të ketë sukses”. Këshilli Koordinues për Luftën kundër Gjakmarrjes, do të mblidhet në mënyrë sistematike për të ndjekur me vëmendje ecurinë e luftës ndaj gjakmarrjes, si një fenomen që duhet të pushojë së ekzistuari në një vend aspirant të integrimit euroatlantik.

Ky lajm është publikuar: 20/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›