E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tavo dhe Barka: Vendimi i Kushtetueses, i kompromentuar

“Në Shqipëri ka një kryqëzate haxhiqamiliste kundër pakicave”

Gjirokastër-Nënkryetari i Parlamentit, Vangjel Tavo dhe deputeti, Kosta Barka e cilësojnë vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese për kombësinë “një shkelje të hapur të të drejtave themelore të njeriut dhe në mënyrë të veçantë të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri”. Ky pohim është bërë gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp, të deputetëve Tavo dhe Barka, të shpërndarë për gazetarët ditën e mërkurë si reagim për vendimet e fundit të Gjykatës Kushtettuese për ndryshimet në ligjin“Për gjendjen civile”. “Është e vërtetë që qytetarët nuk mund të detyrohen të deklarojnë të dhëna mbi përkatësinë e tyre etnike dhe fetare, por qytetarët nuk mund as të ndalohen ta bëjnë këtë. Dhe deklarimet kanë vlerë kur bëhen jo në rrugë apo tribuna, por në institucionet dhe dokumentet e shtetit. Me verdiktin e fundit kushtetues, ky ndalim praktikisht rekomandohet për t’u zbatuar dhe e kthen kështu gjykatën për mbrojtjen e Kushtetutës në një shkelës brutal të saj. Bëhet fjalë për nenin 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e klasifikonte Kushtetutën e vendit tonë midis vendeve me demokraci të përparuar në respektimin e të drejtave të personave që u përkasin pakicave kombëtare”, pohohet në deklaratën e përbashkët për shtyp të deputetëve Tavo dhe Barka. Sipas deklaratës për shtyp, “ ky qëndrim mbahet në rrethana që e bëjnë atë të kompromentueshëm, sa kohë që merret në kushtet e një kryqëzate haxhiqamiliste kundër pakicave në Shqipëri”. Sipas deputetëve, vendimi i mësipërm i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht argumenteve ligjore, dëmton integritetin e minoritetit grek dhe inkurajon tendencat nacionaliste dhe antieuropiane në Shqipëri. “Ky vendim është një sinjal jo emancipues në kontekstin e proceseve integruese dhe globalizuese në të cilat është përfshirë vendi ynë”, përfundon deklarata e përbashkët për shtyp e nënkryetarit të Parlamentit, Vangjel Tavo dhe deputetit Kosta Barka. B.Kore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›