Avokati i Popullit i kërkon ERE të marrë masa ndaj OSSH për dëmshpërblimin e qytetarëve
Sipas Avokatit të Popullit, OSSH ka vepruar në mënyrë abuzive dhe flagrante ndaj qytetarëve duke u faturuar që në muajin dhjetor 2009, çmimin e rritur të energjisë i cili duhej të fillonte të faturohej pas datës 1 janar 2010, kohë kur hynin në fuqi edhe tarifat e reja. Avokatit i Popullit i ka drejtuar një letër të hapur kryetarit të Entit rregullator të Energjisë, Bujar Nepravishta. Institucioni i Avokatit të Popullit, si institucion kushtetues në mbrojtje të të drejtave të individëve në vendin tonë, ka qenë i ndjeshëm dhe ndaj të drejtave të konsumatorëve të cilët kanë ngritur prej kohësh pretendimet për veprime abuzive të kryera nga ana e shoqërisë OSSH sh.a. Në këtë kuadër zyra jonë ka marrë me insiativë trajtimin e çështjes për mënyrën e kompensimit të qytetareve në vendin tonë, lidhur me faturimin e padrejtë (për 10 ditshin e fundit të muajit dhjetor 2009) që u është bërë me tarifat e reja që duheshin aplikuar pas datës 1 Janar 2010. Për sa më sipër nga ana jonë, i jemi drejtuar me kërkesë për informacion Bordit te Drejtoreve të OSSH sh.a, dhe konkretisht zotit Joseph Hejsek, për të na sqaruar se kur do të fillojë kompensimi i kësaj energjie të faturuar me çmimin e rritur që duhej juridikisht të fillonte nga muaji Janar 2010, si dhe cila do të ishte mënyra që do të ndiqej për përllogaritjen dhe ndarjen e 10 ditëshit të fundit të Dhjetorit 2009, nga pjesa tjetër e Janarit 2010, si energji e përfshirë në një faturë të vetme, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit. Sipas letrës mësohet se zyra e Avokatit të Popullit është gjithashtu në dijeni të faktit që Enti Rregullator i Energjisë i ka kërkuar zyrtarisht zbatimin e Vendimit nr. 100, datë 15.12.2010 dhe që për çdo faturim të kryer jashtë afateve të përcaktuara, të bëhet kompensimi i konsumatorëve, në përputhje me kuadrin rregullator të miratuar nga ERE. Por dhe për këtë fakt, zyra e Avokatit të Popullit paraqet kontestimet e saj pjesërisht, pasi faturimi me tarifat e reja është bërë në shkallë vendi për të gjithë abonentët familjare, dhe nuk është bërë kurrsesi në mënyrë selektive apo të rastësishme për disa abonentë, për të kërkuar tashme nga OSSH sh.a. verifikimin rast pas rasti të këtij faturimi. Në pritje të këtij kompensimi, zyra jonë ka parë se as për faturat e muajit Prill 2010 nga ana e OSSH sh.a. nuk është bërë ende asnjë lloj kompensimi për faturimin e bërë publik në mënyrë abuzive nga kjo shoqëri. Në këto kushte, kur Institucioni i Avokatit te Popullit po përballet përditë me ankesat e qytetarëve të shumtë që na drejtohen dhe për abuzime të përmuajshme nga ana e punonjësve të OSSH sh.a., të cilët vijojnë të faturojnë me shuma të tilla që nuk përputhen me ato që pasqyrojnë matësit, por dhe për faktin e një fushate të ndërmarrë nga ana e këtyre punonjësve të cilët konstatojnë cënim të matësve, pa iu ofruar asnjë lloj dokumenti siç është ai i procesverbalit abonentëve, Ju drejtohet për ndërhyrjen tuaj në vijim kundrejt korrigjimit të kësaj situate, thuhet në letrën e Avokatit të Popullit. Ndërkohë Avokati i Popullit rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për detyrimin e shoqërisë OSSH sh.a. të kompensojë sa më parë të gjithë klientët e saj, lidhur me faturimin e padrejtë që ka kryer në drejtim të tyre për 10-ditëshin e fundit të muajit Dhjetor 2009.
Last Updated on E Diele, 20 Qershor 2010 09:07