E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati i Popullit, përzgjidhen 12 kandidatë

Reduktohet në 12 emra lista e kandidatëve të Partisë Socialiste për postin e Avokatin e Popullit. Komisioni i posaçëm, i ngritur nga selia rozë për të ndjekur këtë proces përzgjedhjeje, ka mundur dje të bëjë seleksionimin e listës prej 33 kandidatësh, duke i lënë mundësinë e vijimit të garës për vetëm 12 prej tyre. Siç njofton vetë PS-ja në faqen në internet të hapur posaçërisht për këtë qëllim, përzgjedhja në këtë fazë u bë në bazë të dosjeve që kishin paraqitur secili kandidat. Komisioni Përzgjedhës “ad hoc” thërret për fazën e dytë në dëgjesën publike të së hënës, datë 12 dhjetor 2011, kandidatët: Artur Lazebeu, Besnik Dervishi, Bilal Kola, Blerta Kraja, Dëshira Subashi, Elisabeta Imeraj, Ermir Dobjani, Ksenofon Krisafi, Igli Totozani, Përparim Kabo, Qirjako Qirko dhe Sokol Hazizajn. Nga sa vihet re në këtë listë të përzgjedhurish, selia rozë nuk u është përmbajtur kritereve të përcaktuara në paktin dhjetëpikësh të propozuar nga kryetari Edi Rama gati dy muaj më parë, ku ai theksonte se kandidaturat për institucionet kushtetuese, përfshi edhe Avokatin e Popullit, nuk duhet të jenë përfaqësues të ndonjë force politike. Kjo pasi në 12 emrat e përzgjedhur, një pjesë e mirë e tyre janë ose anëtarë të forumeve të larta politike, ose përfaqësues politikë të kësaj force në vite në institucionet shtetërore. Komisioni Përzgjedhës në njoftimin e vet “falenderon për pjesëmarrjen të gjithë aplikantët që nuk kaluan në fazën e dytë, duke u përcjellë konsideratën më të lartë dhe u rikujton të gjithë të përzgjedhurve të lartshënuar se dëgjesa publike nis ditën e hënë ora 9:30, me shortin që do të përcaktojë renditjen e prezantimeve”. Ndërkohë që më herët gjatë ditës së djeshme, anëtarja e komisionit Eglantina Gjermeni shpërndau për mediat edhe një njoftim lidhur me deklaratat e bëra nga Besim Ndregjoni, emri i të cilit duket se ishte vendosur pa dëshirën e tij në listën e kandidatëve. “Duke qenë se zoti Ndregjoni nuk e kishte depozituar aplikimin ende dhe biseda jonë e fundit u bë ditën e fundit, në respekt të asaj çka zoti Besim Ndregjoni përfaqëson si drejtues i një organizate të të përndjekurve politikë por edhe të historisë së tij personale e familjare, dhe sigurisht mbi fjalën e tij se donte të futej në garë, ne vendosëm ta përfshijmë në listë në mirëbesim. Shpresojmë që ky të jetë thjesht një keqkuptim, sepse nuk gjejmë asnjë arsye në qasjen e në sjelljen tonë të deritanishme që zotëria i nderuar të na e kthejë me mosrespekt të gjithë kujdesin dhe respektin e posaçëm të treguar ndaj tij personalisht”, - sqaron Gjermeni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›