Rama tek Akademia: Para 20 vitesh, këtu goditëm të parët Enver Hoxhën
Me rastin e Ditës së Rinisë, plot 21 vite më pas kreu i socialistëve, Edi Rama është rikthyer në sallën e madhe të Akademisë së Arteve, aty ku dhe mori pjesë si pedagog në takimet ku u fol hapur për nevojën e demokratizimit të vendit, rishikimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha dhe lirimin e të burgosurve politikë. Në praninë edhe të shumë studentëve dhe protagonistëve të atij takimi, kreu socialist Edi Rama ka rrëfyer emocionet e përjetimet e atij takimi dhe të asaj që pjesëmarrësit në atë sallë prisnin më pas. “Këtu, në këtë skenë u godit për herë të parë me zë diktatori Enver Hoxha dhe këtu në skenë doli për herë të parë në dritën e diellit një i burgosur politik. Aty, në atë ditë u shkrua dhe i pari peticion në historinë e tranzicionit shqiptar, drejtuar presidentit të kohës, ku i kërkohej praktikisht rishikimi i figurës së Enver Hoxhës dhe lirimi i të burgosurve politikë. Një kërkesë, që siç ne e parashikonim, nuk u botua në shtypin opozitar të kohës”, - tha Rama. Më tej, ai edhe një herë ka sqaruar se në atë sallë u kërkua rishikimi i figurës së Enver Hoxhës dhe lirimi i të burgosurve politikë, çka sipas tij nuk u pranua më pas nga PD-ja. “Praktikisht, dy gjëra që Partia Demokratike nuk i bëri qysh në krye të herës dhe nuk donte t’i bënte ishin: goditja e Enver Hoxhës dhe lirimi i të burgosurve politikë. Këto të dyja ishin temat që iu dhanë refleksioneve një nam shumë të madh dhe i bënë një magnet shumë të fuqishëm dhe praktikisht refleksionet u ndërprenë për shkak të pamundësisë për t’i bërë”, - tha Rama në fjalën e tij. Ai nuk ka nguruar ta lidhë atë ngjarje edhe me periudhën e tanishme, ku ka akuzuar kundërshtarin e tij politik se ka zaptuar PD-në. “Mirëpo historia ka huqet e saj. Sot jemi 20 vjet më vonë dhe nuk e di se si dhe për çfarë rrethanash, por në fund të fundit nuk ka gjë më interesante dhe më argëtuese sesa kur për atë që ishte dikur partia e tij, Saliu na thotë, ajo është partia juaj, ndërkohë që ajo parti nuk ekziston më. Dhe ndërkohë që për atë që ishte partia jonë, Saliu thotë është partia ime. Është një paradoks i këtyre 20 viteve”, - tha Rama, ndërsa u ka bërë thirrje të rinjve që të mos e lënë politikën të marrë peng të ardhmen e tyre.