Avokati i Popullit, takime në Vlorë dhe Fier

Totozani gjate takimeve me qytetaret
UPDATE- Avokati i Popullit, Igli Totozani është ndalur sot në qytetin e Fierit dhe të Vlorës ku ka biseduar nga afër me qytetarët, si dhe ka mbajtur disa takime me zyrtarë.
Fillimisht Totozani është ndalur në qytetin e Fierit ku ka nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile.
Gjatë takimit që Totozani ka patur me kreun e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqo janë diskutuar disa problematika; Problemet e banorëve të dy lagjeve të Fierit, të cilët protestuan për mungesë të energjisë elektrike prej 9 ditësh, procedurat e regjistrimit të qytetarëve romë në Levan të Fierit, plani për strehimin e familjeve të pastreha, funksionimi në nivel Bashkie i mekanizmit të referimit për viktimat e dhunës, trafikimit etj, zbatimi i kritevere të përcaktimit të ndihmës ekonomike për familjet në nevojë, bashkëpunimi me organizatat e shoqërisë civile në qytetin e Fierit etj.
Totozani ka mbajtur edhe një takim me qytetarë, ku dy ndër problemet kryesore që u ngritën ishin problemet e naftëtarëve dhe problemet me mbifaturimin e energjisë elektrike.
Në qytetin e Vlorës, Avokati i Popullit ka zhvilluar takim me nënkryetarin e Bashkisë së Vlorës.
Më pas ai ka monitoruar urgjencën e spitalit dhe pediatrinë e qytetit. Gjatë takimeve u ra dakord qe pranë Bashkive të qyteteve të hapen edhe zyrat e Avokatit të Popullit, me qëllim mbledhjen dhe shqyrtimin e ankesave të qytetarëve.