Fushata në Serbi, Kosova nuk është temë kryesore
Duket shumë e qartë se partitë politike, përveç Partisë Demokratike Serbe (DSS) të Vojisllav Koshtunicës, po përpiqen që Kosova të mos jetë tema numër një e fushatës elektorale, vlerëson për Deutsche Wellen, analisti politik Dushan Janjiç. Megjithatë Kosova është më shumë e pranishme në fushatë se sa është menduar para fillimit të saj. “Kosova pas nënshkrimit të marrëveshjes për prezantimin e saj në konferencat rajonale dhe për shkak të problemeve në raportet midis politikanëve serbë në veri dhe Boris Tadiçit dhe ekipit të tij, është shndërruar në një temë të rëndësishme në raportet mes partive politike”, pohon Janjiç.
Serbët në Kosovë si diasporë
Dushan Janjiç thekson se Kosova paraqitet në këtë fushatë më shumë për shkak të zgjedhjeve lokale atje. Pasi votimet për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të bëhen si në votimet e diasporës. Kjo do të thotë se votimi do të zhvillohet në godinat e përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare.
“Kjo është një temë e re, e cila brenda pak ditësh me siguri do të futet në opinionin e brendshëm dhe do të ndezë emocionet. Kjo mënyrë votimi konsiderohet nga autoritetet serbe në këto pjesë të Kosovës, dhe para së gjithash nga Partia Demokratike Serbe (DSS) dhe Partia Perparimtare Serbe (SNS) që mbajnë pushtetin atje, si njohje përfundimtare e pavarësisë së Kosovës, apo si trajtim i serbëve në Kosovë si diasporë”, pohon Janjiç.
Për Kosovën vetëm në mënyrë sporadike
Predrag Simiç, profesor në Fakultetin e shkencave politike në Beograd, thekson se është shumë e qartë që Kosova nuk është tema kryesore e kësaj fushate. Kosova trajtohet në mënyrë sporadike, varësisht nga ngjarjet që kërkojnë reagime. Por tani nuk po dëgjohet asnjë ide madhore apo ndonjë premtim i veçantë. Kosova në përgjithësi është e pranishme vetëm për shkak të disa mesazheve që vijnë nga Prishtina, si për shembull ai i dërguar nga Hajredin Kuçi se Prishtina është e gatshme të dërgojë edhe trupa speciale për të zgjidhur problemet në veri dhe për të vendosur sovranitetin e Prishtinës atje. Natyrisht që këto ditë është imponuar edhe tema e Maqedonisë, për shkak të ngjarjeve atje dhe mundësisë së pasojave për Serbinë”, pohon Simiç.
Ndryshim i politikës?
Pa marrë parasysh se kush do të fitojë shumicën e votave dhe kush do të krijojë qeverinë e re – Partia Demokratike e Boris Tadiçit apo SNS e Tomisllav Nikoliçit – politika ndaj Kosovës nuk do të përjetojë ndonjë ndryshim të madh, vlerëson Dushan Janjiç. “Kjo do të thotë se ndaj Kosovës nuk do të ketë ndonjë strategji të qartë, se do të reagohet varësisht nga presionet e jashtme dhe se pas humbjes së madhe të kohës, parave dhe energjisë do të realizohen shumica e kërkesave të Bashkimit Evropian”, pohon Janjiç.
Nëse demokratët mbeten në pushtet, ndaj Kosovës do të vazhdojë politika e deritanishme, mendon Predrag Simiç. Kjo do të thotë se do të vazhdojë edhe dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit. “E panjohura e vetme është se çfarë qeverie do të krijohej dhe me çfarë shumice. Nëse qeveria e ardhshme do të kishte mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, ekziston edhe mundësia e ndryshimit të kushtetutës, që një pjesë e madhe e opozitës e sheh si hapje të rrugës për njohjen e pavarësisë së Kosovës”, pohon Simiç. /DW/