Avokati i Prokurimeve zbardh skemën e abuzimit me tenderët
Nga më shumë se 300 ankesa, që kanë shkuar në Avokatin e Prokurimeve, në lidhje me mosrespektimin e procedurave të tenderave publike, 170 raste është gjykuar se kanë pasur të drejtë. Shifrat janë dhënë në raportin vjetor për vitin 2010, që Avokati i Prokurimeve ka dorëzuar për diskutim në Kuvend. “Në rreth 170 raste, pretendimet e operatorëve ekonomikë kanë rezultuar të bazuara për problemet që kanë trajtuar në ankesat e tyre”, cilësohet në raportin e AP. Nisur nga kjo situatë, për 98 raste janë dhënë rekomandime për modifikimin e kritereve kualifikuese, për shkak se, është konstatuar hartimi i tyre, jo në përputhje me ligjin. Në 60 raste të tjera janë dhënë vendime për rivlerësimin e ofertave, për shkak të vlerësimit të gabuar të ofertave nga komisionet kontraktore dhe për 49 raste të tjera janë dhënë rekomandime për anulimin e procedurave, bazuar në shkeljet e konstatuara për parregullsi të theksuara në dokumentet e tenderit.
Tenderët, mekanizimi i abuzimit
Sipas Avokatit të Prokurimeve, një nga mjetet themelore të abuzimit në tenderat publike, për të favorizuar një kompani të caktuar, është zvarritja e procedurave të tenderit, për t’i krijuar hapësira të nevojshme subjektit të favorizuar. Më pas, gjatë vlerësimit të ofertave, subjektit të favorizuar i bëhen tolerime në plotësimin e kritereve ligjore, ndërsa subjekteve jo të favorizuara i’u konsiderojnë si mangësi elementë të parëndësishëm të dokumentacionit, ndonëse këto janë të paraqitur nga konkurrentë seriozë. Në të tilla raste, komisionerët e vlerësimit të ofertave interpretojnë në mënyrë të gabuar dokumentacionin kualifikues të ofertuesve. Për rrjedhojë, Avokati i Prokurimeve vëren se, kualifikimi dhe shpallja fitues i operatorëve ekonomikë, të cilët nuk plotësonin kriterët, ka dëmtuar rëndë konkurrencën, ka rritur kostot dhe ka vënë shpesh në pikëpyetje zbatimin e kontratës. Një nga metodat e abuzimit dhe favorizimit që përdorin komisionet është anullimi i tenderit pa shkaqe ligjore, vëren avokati i prokurimeve. Por ka pasur shumë raste kur janë evidentuar të paktën dy kualifikues të kualifikuar, gjendje që përligj vazhdimin e procesit.
Bashkitë
Probleme në procedurat e tenderave janë vënë re edhe në dy bashkitë kryesore të vendit, atë të Tiranës dhe Durrësit. Në raportin e Avokatit të Prokurimeve vihet re se, nga dy bashkitë në fjalë ka pasur një numër të konsiderueshëm ankesash. Subjektet janë ankuar për modifikimin e dokumenteve të tenderit, për faktin se është pretenduar se, vendosja e specifikimeve ka qenë jo në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe për pasojë ka krijuar kushte për shmangien nga konkurrenca. Gjithashtu gjatë procesit të monitorimeve për bashkitë kryesore të vendit, Avokati i Prokurimeve ka vënë re se, se janë konstatuar raste kur kërkesat ekonomike dhe financiare i kalonin kufijtë maksimale, monetarë dhe kohorë, të përcaktuara në rregullat e prokurimit publik. Gjithashtu janë kërkuar specifikime të ekzagjeruara dhe kërkesa të tjera të panevojshme dhe të paqarta, e deri në përdorimin e setit të shfuqizuar të dokumenteve standarde.
Rekomandimet
Avokati i Prokurimeve rekomandon që për të ndalur abuzimet me konkurrencën në tendera dhe fondet publike, lind e nevoja për shqyrtimin me shpejtësi të çdo ankese. Për ketë qëllim, Avokati i Prokurimeve kërkon që të ketë akses të plotë në kontrollin e dosjeve elektronike të autoriteteve, por një gjë e tillë ende nuk është e mundur. Avokati i Prokurimeve ngre gjithashtu shqetësimin se mungon totalisht mungesa e bashkëpunimit me Komisionin e Prokurimit Publik.