Tregu i sigurimeve nis përmirësimin më 2011
Janari 2011 ka shënuar një rritje të sigurimeve të jetës. Statistikat e Autoritetit Mbikëqyrës Financiar tregojnë për më shumë të ardhura në muajin janar nga tregu i sigurimeve, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Statistikat për janarin 2011, raporton AMF, tregojnë për rreth 857 milionë lekë të ardhura nga sigurimet, ose 35.11% më shumë se muaji janar i vitit 2010. Gjatë muajit janar, 2011 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 97,046, duke dyfishuar numrin e kontratave, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në këtë mënyrë, tregu mbetet i orientuar te sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 84.23% të vëllimit të përgjithshëm të kontratave, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 15.77%. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve personale dhe shëndetit gjatë muajit janar 2011 arritën në rreth 80 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 219.32%, në krahasim me janarin e vitit 2010. Peshën më të madhe e mbajtën sigurimet e shëndetit, me rreth 90.17% të të ardhurave të këtij grupi. Të ardhurat nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2011 arritën 135 milionë lekë, ose rreth 143.81% më shumë se janari i vitit të kaluar. Kurse, kontratat e sigurimit vullnetar zënë 62.43% dhe ato të sigurimit të detyrueshëm zënë 37.57% të totalit të tregut. Të ardhurat nga kartoni jeshil kanë pasur rritje, sipas të dhënave për 2011. Produkti Karton Jeshil pati një rritje me rreth 110.05% për kontratat bruto, krahasuar me janarin e vitit 2010, dhe numri i kontratave pati një rritje prej 51.08%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Edhe sigurimet e detyrueshme motorike arritën shifrën 322 milionë lekë, ose rreth 12.79% më shumë se muaji janar i një viti më parë. Rritje patën për janarin 2011 edhe sigurimet vullnetar, të cilat arritën rreth 535 milionë lekë, ose 53.37% më shumë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë, por dhe me një trefishim të numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me janarin e vitit 2010. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë muajit janar 2011 patën rritje me rreth 36.28% kundrejt janarit të vitit 2010.
Kurse sigurimet MTPL e brendshme të automjeteve në muajin janar 2011, patën një ulje prej 11.06% për të ardhurat bruto. Produkti Sigurim Kufitar në muajin janar 2011 pati një ulje prej 5.34% për të ardhurat bruto, ndërsa numri i kontratave pati një rritje prej 9.57% krahasuar me janarin e vitit 2010. Duke iu referuar sërish sigurimit vullnetar, në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 260 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe rreziqet shtesë, me rreth 44.52% të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me rreth 17.47% . Në portofolin ‘Zjarri dhe rreziqet shtesë' gjatë muajit janar 2011 ndihet një rritje prej 41.83% e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 14.55% të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, krahasuar me janarin e vitit 2010.