Tregtarët në protestë kundër kasave fiskale
SHKODËR- Rreth 200 tregtarë të tregut industrial të Zdrales, në afërsi të stadiumit “Loro Boriçi”, kanë protestuar të premten lidhur me vendosjen e kasave fiskale. Brenda në ambientet e tregut më të madh industrial të qytetit të Shkodrës, tregtarët janë shprehur se vendosja e kasave fiskale është e pamundur për ta, pasi çmimi i tyre është shumë i lartë dhe i papërballueshëm. “Kemi tri ditë që jemi lajmëruar nga tatimet dhe nuk përfitojmë as rimbursim. Nuk jemi kundër rregullave të shtetit, por çmimi i kasave është i lartë, ndërsa ne punojmë vetëm rreth 5 orë në ditë, dhe fuqia blerëse ka rënë së tepërmi”, shprehen tregtarët. Sipas tyre, blihet shumë pak, në Tiranë ku merret malli çmimet janë rritur shumë dhe vendosja e kasave duhet të bëhet më vonë, pasi në këto kushte është falimentim për ta. “Kjo do thotë të na lënë pa bukë. Këtu shkojnë ditë të tëra pa blerë njeri, se njerëzit nuk kanë punë e të ardhura, janë rritur dhe çmimet e ushqimeve, pa të cilat nuk jetohet dot dhe rroba blihen pak. Shumica e tregtarëve janë borxh në Tiranë, pasi e kanë marrë mallin pa lekë. Bashkia do vijë pas tre muajsh të marrë taksën, jemi të detyruar t’ia japim dhe pse këtu nuk na sigurohen kushte pune. Qajmë hallin për taksat që duhen paguar dhe tani na shtohen dhe kasat”, shprehen tregtarët. Ata kanë deklaruar se do protestojnë edhe para bashkisë deri në gjetjen e një zgjidhjeje. “Le të vijnë, të caktojnë vetë njerëz për të parë se sa shitet këtu në këtë treg. Kjo do thotë të rrimë pa bukë”, janë shprehur tregtarët. D.K.