E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokati i Shtetit: Ministritë të konsultojnë kontratat

Të gjithë kontratat që shteti lidh me privatët duhet të jenë objekt i këshillimit të avokatit të shtetit që në nisje të negociatave. Ky detyrim tashmë ligjor që prej një viti për avokaten e shtetit Ledina Mandia e mbyll përfundimisht mundësinë e padive të shumta që privatët i bëjnë shtetit pas dështimit të kontratave.

"është detyrim i institucioneve të shtetit shqiptar të konsultojnë cdo kontratë administrative me avokaturën e shtetit. Kur them kontratë administrative kam parasysh këtu kontratat e punëve publike, e prokurimeve dhe e koncesioneve. Ne kemi vendosur në cdo ministri nga një avokat shteti i cili mbulon një ministri dhe institucionet e varësisë së saj duke ofruar këshillimin e kontratave që nga momenti i tenderimit në momentin e negocimit te nenshkrimit, dhe ekzekutimit të tyre", thote Ledina Mandia, avokate e shtetit.

Shteti është i paditur deri më tani në shtatë raste në arbitrazhin ndërkombëtar dhe rasti më pikant është ai i General Elektrik. Kjo kontratë e cila nuk ishte konsultuar më parë as te avokati i shtetit tashmë e ngarkon qeverinë me një detyrim mbi 10 milion euro.

"Në rastin e General Electric, ajo është një kontratë që është bërë pa tenderim, i është dhënë me preferencë kompanisë dhe kjo ka qenë një nga arsyet që është kontestuar dhe nga ana jonë, qoftë në proceset paragjykimorë ashtu dhe në procesin e arbitrazhit", vijon Mandia.

Sipas avokates së shtetit deri më tani shumë institucione ku shquhet Ministria e Transportit kanë krijuar traditën e konsultimit të cdo kontrate. Por ka ende shumë raste të tjera kur kontraktuesit shtetëror nuk e marrin në konsideratë këtë detyrim ligjor.

Adi Darsi < I mëparshmi

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›