E Diel, 1 Nëntor 2026

OEK-UNDP, marrëveshje bashkëpunimi

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu dhe drejtori i UNDP-së, Parviz Fartash nënshkruan Memorandumin e Bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve.

Me këtë rast, kryetari i OEK-së, Safet Gërxhaliu theksoi se Memorandumi në mes të OEK-së dhe UNDP-së, është memorandum i cili ka qasje tjetër nga memorandumet e tjera, pasi që të dy palët dëshirojnë të jenë sa më pragmatikë, të implementojnë dispozitat e Memorandumit.

“Është një memorandum i cili do t’i ketë edhe mjetet apo instrumentet për matjen e efekteve te këtyre aktiviteteve të përbashkëta”, tha Gërxhaliu.

Esenca e krejt kësaj, sipas tij, është që bashkëpunimi me UNDP-në të ketë një dokument bazik, një platformë të vërtetë bashkëpunimi, që në të ardhmen do të forcohet edhe më tepër me aktivitete konkrete në lëmin e zhvillimit ekonomik. Drejtori i OEK-së tha se një ndër qëllimet kryesore të Memorandumit është ngritja e bashkëpunimit në mes të këtyre dy institucioneve - ngritja e bashkëpunimit me partnerë nga jashtë, forcimi i sektorëve të ndryshëm ekonomikë në Kosovë, si një ardhmëri e proceseve zhvillimore.

Në anën tjetër, drejtori i UNDP-së në Kosovë, Parviz Fartash tha se programi i UNDP-së varet nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me institucionet lokale dhe partnerët lokalë.

“Sot është një shembull i tillë i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe ne po nënshkruajmë një memorandum mirëkuptimi me OEK-në me një projekt të ri i cili është i bashkëfinancuar nga Agjencia Turke për zhvillim, TIKA”, tha Fartash.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›