Avokati i Shtetit padit në Gjykatën e Lartë "Albademil"
Avokati i Shtetit ka depozituar në Gjykatën e Lartë një padi ndaj firmës "Albademil", me pronar Mihal Delijorgjin, për dëmin e shkaktuar nga shpërthimi në Gërdec vitin e kaluar. Kërkesa për dëmshpërblim e Avokatit të Shtetit është në masën e 22 miliardëve lekë (të vjetra), aq sa u vlerësua dëmi i shkaktuar, pas tragjedisë. Padia është hartuar nga një grup specialistësh dhe pritet t‘i bashkëngjitet çështjes penale ndaj 30 të pandehurve si përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit. Lajmi bëhet i ditur nga burime nga Gjykata e Lartë, të cilat kanë konfirmuar se bëhet fjalë pikërisht për shoqërinë "Albademil" të Mihal Delijogjit. Kjo kërkesë padi civile mësohet se do të bashkohet në seancën e parë gjyqësore që do të zhvillohet ndaj 30 të pandehurve të kësaj dosjeje, ku paralelisht me procesin penal do të gjykohet edhe padia civile, ku shteti kërkon që përgjegjësit e kësaj tragjedie të paguajnë dëmin material që qeveria ka paguar ndaj të dëmtuarve. Sipas Avokaturës së Shtetit, shuma që do të kërkohet të paguhet nga përgjegjësit e këtij shpërthimi është vlera e dëmit e nxjerrë nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë hetimit, dëm të cilin qeveria është e detyruar ta paguajë ndaj të dëmtuarve. "Vlera monetare është ajo e nxjerrë nga Komisioni i Vlerësimit të Dëmeve që prokuroria tashmë e ka bërë të ditur dhe që është rreth 2.2 miliardë lekë të reja. Kjo shumë tashmë është paguar nga autoritetet ndaj të dëmtuarve nga shpërthimi. Nëpërmjet Avokaturës së Shtetit, autoritetet kërkojnë t‘ua marrin këtë shumë personave apo subjekteve përgjegjëse të kësaj tragjedie", thanë burimet nga Avokatura e Shtetit, duke shtuar se ky proces do të jetë paralelisht me atë penal. Sipas këtyre burimeve, mendohet se objekti i kërkesë-padie do të jetë ai i shpërblimit të dëmit ndaj institucionit shtetëror, të shkaktuar nga tragjedia e shpërthimit të rreth 700 tonëve barut në ish-repartin e tankeve të transformuar në një punishte demontimi të municioneve. Për të gjitha dëmet e shkaktuara, shteti është i detyruar të përgjigjet, por këto para do të kërkohet t‘u merren subjekteve kontraktuese të MEICO-së, që në rast mospagimit të këtij dëmshpërblimi atyre do t‘u konfiskohen pasuritë e sekuestruara për të shlyer detyrimet ndaj shtetit.
Ndërkohë, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, nga hetimi 12-mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë. Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore. Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak të akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kapin vlerën 2039216418 lekë të reja, apo rreth 16 milionë euro.