E Diel, 1 Nëntor 2026

PASTRIMI I PARAVE DHE KRIZA

Qysh nga fundi i "luftës së ftohtë" gati dy dekada më parë, në mënyrë të veçantë tragjedia e 11 shtatorit 2001 dhe kriza aktuale botërore financiare, ekonomike dhe institucionale, kanë sjellë në fokusin e debatit ndërmjet ekonomistëve, juristëve, analistëve, ligjvënësve etj., edhe problemin e rolit të parave të pista në ekonominë e vendeve të veçanta. Sipas FMN-së, në nivel botëror shumat e parave të paligjshme qysh para pesë vjetësh vlerësoheshin diku midis 800 miliardë dhe 2 trilionë dollarë amerikanë, domethënë afërsisht 2-5 për qind e GDP-së botërore. Ndërkaq, në ditët e sotme ky debat bëhet edhe më i ndjeshëm, mbasi studime të ndryshme kanë provuar se ekziston një lidhje e fortë midis fenomenit të pastrimit të parave dhe krizës financiare.

Nuk mungojnë edhe studiues të ndryshëm që rreken të provojnë se lëvizja e lirë e kapitaleve, ashtu sikurse tregtia ndërkombëtare, ndihmon në optimizmin e shpërndarjes së burimeve në nivel global. Por nëse shohim fenomenin në thelbin e vet, nuk është vështirë për të kuptuar se në një fazë të caktuar të zhvillimit të një vendi vihet re një rritje ekonomike relativisht e shpejtë dhe burime të rëndësishme të kapitalit zhvendosen drejt bizneseve me normë të lartë fitimi (për shembull në tregjet e kapitaleve apo në investimet në pasuri të patundshme). Nga ana tjetër, paralelisht me këtë ekonomia mbetet dukshëm anemike nga pikëpamja e aftësive konkurruese të saj, e cila nga ana e vet është edhe premisa më e fortë për ripagimin e borxheve të vendit ndaj bankave të huaja dhe institucioneve financiare ndërkombëtare. Në kushte afërsisht të tilla dhe mjaft e ekspozuar ndaj rrezikut për t‘u shndërruar në një "parajsë fiskale" dhe në një terren të favorshëm për pastrimin e parave të pista, mendoj se ndodhet aktualisht edhe ekonomia jonë kombëtare. Le të përpiqemi të hedhim paksa dritë mbi disa nga drejtimet e mundshme të shfaqjes së këtij fenomeni në kontekstin aktual shqiptar.

Së pari, vendi ynë vazhdon të karakterizohet nga një shkallë ende shumë e lartë e parave që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare. Sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, ende rreth 1/3 e parave qarkullojnë në formën e "cash"-it, gjë që lehtëson dukshëm mundësitë e futjes në ekonominë e vendit të parave të pista përmes transaksioneve të investimeve; shit-blerjeve të paverifikueshme dhe jashtë kontrollit të shërbimeve të specializuara të inteligjencës etj. Niveli i lartë i kryerjes së transaksioneve me para në dorë (cash) dhe intensifikimi i lidhjeve dhe bashkëpunimit ekonomik, social, kulturor e fetar me jashtë, si dhe shkalla shumë e lartë e emigracionit jashtë vendit, ka krijuar terren që drejt vendit tonë të bëhen përpjekje për transferim fondesh financiare të dyshimta deri edhe për financimin e terrorizmit. Të ekspozuara ndaj këtij fenomeni kanë qenë e mbeten edhe një numër institucionesh joqeveritare të ngritura pjesërisht apo plotësisht me mbështetje të huaj për të maskuar veprimtari të tilla, por që përgjithësisht janë monitoruar dhe paralizuar në kohë nga institucionet përkatëse shtetërore.

Së dyti, me gjithë përparimet e shënuara gjatë dekadës së fundit, administrimi fiskal përbën një problem më vete, që shprehet në nivelin e lartë të evazionit fiskal, përdorimin e metodave arbitrare dhe administrative përmes sistemit të referencave etj. Fshehja e taksave, mospagimi i tyre ndihmon në fshehjen e origjinës së parave të investuara, duke krijuar terrenin e nevojshëm për pastrimin e tyre. Ndonëse qeveria aktuale ka bërë disa përpjekje të dukshme për zvogëlimin e informalitetit, ato janë përqendruar kryesisht në aspektet teknologjike (krijimi i QKR-së etj.), apo në disa elemente të rëndësishme të amnistisë fiskale (legalizimet e ndërtimeve të paligjshme, miratimi i ligjit për faljen e kamatë-vonesave dhe gjobave) etj. Por paralelisht me këtë janë adaptuar dhe po përdoren vend e pa vend metoda arbitrare të ndërhyrjes shtetërore (çmimet e referencës në dogana e tatime, pagat e referencës, rivlerësime tatimore të motivuara herë-herë edhe politikisht, vendosja e detyrimit për pagimin e gjobave përpara ankimimit në gjykatë (parapagim), vonesa ose moskryerja e rimbursimit të TVSh-së në një numër të madh rastesh, moszbatimi i vendimeve të formës së prerë të gjykatave mbi detyrimet e shtetit ndaj subjekteve private etj. Për rrjedhojë, arritjet e deritanishme në ngushtimin e informalitetit janë modeste, ndërsa komuniteti i biznesit nuk është i motivuar sa duhet për të bashkëpunuar me administratën fiskale.

Së treti, politikat e qeverisë aktuale në fushën e privatizimeve karakterizohen nga mungesa e transparencës, privatizimet shpesh janë kryer të motivuara kryesisht politikisht dhe në shërbim të elitës drejtuese të vendit etj. Ndonëse kanë kaluar gati dy dekada nga fillimi i tranzicionit dhe asetet publike kanë fituar një vlerë disa herë më të mëdha se në fillimet e këtij procesi, përsëri privatizimet mbeten "jocilësore". Këtu nuk është fjala thjesht për pamundësimin në këtë mënyrë të rritjes së përfitimeve financiare në dobi të buxhetit të shtetit për shkak të fushatizmit në privatizime, ngutjes për të rritur të ardhurat buxhetore në kompensim të ndikimeve të krizës ekonomike botërore apo për të krijuar një "boom" artificial por të përkohshëm suksesesh të qeverisë në një vit elektoral si ky që po jetojmë (2009). Mjetet e informacionit ofrojnë një evidencë të mjaftueshme për të kuptuar se nëpërmjet procesit të privatizimeve thjesht po transferohen asete shtetërore strategjike nga bilancet e shoqërive publike në duart e grupeve të biznesit, të lidhura me lidershipin drejtues apo elitën politike të vendit, duke mos sjellë kështu ndonjë dobi publike për t‘u shënuar (përveç shtimit të të ardhurave buxhetore njëherë të vetme, domethënë në vitin fiskal përkatës). Për fat të keq, ekonomia jonë kombëtare tashmë ka humbur shanset që përmes privatizimit të aseteve publike në sektorët strategjikë të saj të thithet kapital i freskët, të mundësohet një nivel menaxhimi bashkëkohor, si dhe të modernizohet teknologjia e shfrytëzimit të këtyre aseteve. Mjafton të shohim procedurat jotransparente dhe vlerat modeste të arkëtuara nga shitja e pasurive të tilla si industria e përpunimit të naftës etj., për të kuptuar se privatizimet e trumbetuara me të madhe nga qeveria aktuale përmbajnë elementë proceduralë dhe ekonomikë që vënë në diskutim jo vetëm legjitimitetin e tyre, por edhe lënë shteg për dyshime të bazuara për cenim të interesave publike dhe për afera korruptive në favor të njerëzve me pushtet.

Së katërti, një numër pasurish publike kanë qenë transferuar në duar private nëpërmjet kontratave koncesionare midis qeverisë dhe investitorëve të përzgjedhur prej saj në mjaft raste në rrugë jotransparente, pa kredibilitetin e nevojshëm për të qenë të tillë (investitorë strategjikë), e në disa raste edhe pa qenë aspak nevoja të ofrohen me koncesion pasuri për të cilat mund të kryheshin investime të përbashkëta publike-private etj. Madje, në shtypin vendas janë publikuar edhe mjaft raste kur investitorët që kanë marrë kontrollin e pasurive publike në këtë formë privatizimi nuk kanë investuar asnjë lek, por thjesht kanë vazhduar shfrytëzimin e pasurive kombëtare shqiptare me të njëjtën teknologji prodhimi a përpunimi, apo kanë shfrytëzuar stoqet e lëndëve të para apo produkteve gjendje në momentin e privatizimit (për shembull në sektorin minerar), duke shkelur kështu detyrimet kontraktore në lidhje me kryerjen e investimeve nga ana e tyre. Nga ana tjetër, janë shfaqur edhe raste kur kjo kategori investitorësh deklarojnë realizimin e investimeve të veta prej qindra milionë eurosh, investime të cilat nuk provohen as nga autoritetet doganore, as nga institucionet mbikëqyrëse përkatëse (Autoriteti Shtetëror i Autorizuar) për zbatimin e investimeve të parashikuara mbi bazën e Studimit të Fizibilitetit të miratuar nga qeveria, si pjesë e paketës së koncesionit. Madje, në kundërshtim me përvojat e njohura botërore të përfshira në të gjitha tekstet fillestare të shkollimit universitar, ende qeveria shqiptare nuk ka hartuar dhe miratuar një metodikë dhe rregulla të qarta mbi mënyrën e paraqitjes, të monitorimit dhe kontrollit të zbatimit të këtyre studimeve. Kjo situatë u ka hapur rrugën spekulimeve qeveritare mbi nivelin e investimeve që kryhen në ekonominë shqiptare në formën e investimeve të huaja apo vendase dhe ka ekspozuar nivelin e lartë të evazionit fiskal dhe në sigurimet shoqërore, por edhe ka lënë kështu të hapur një shteg serioz të pastrimit të parave dhe deformimit të tregjeve që ndodh për këtë shkak. Nuk mbeten jashtë këtij fenomeni edhe transferimet e kapitaleve në ndonjë bankë apo shoqëri sigurimesh në vend.

Së pesti, vitet e fundit ekonomia shqiptare është përballur me një intensitet në rritje të shitblerjeve të pasurive të patundshme në bregdet, troje banimi në qytete e fshatra etj. Fenomeni i pastrimit të parave inkurajohet jo vetëm nga çrregullimet në çmimet e pasurive të çmueshme të vendit si trojet, tokat bujqësore etj., të cilat (çmimet) si rregull në kohë krize si kjo e sotmja devijojnë nga kushtet e tregut në një ekonomi normale, konkurruese apo "të shëndetshme", por edhe nga presioni që fluksi i këtyre parave ushtron mbi elitën politike dhe vendim-marrësit e hierarkisë drejtuese të vendit. Vëzhgime të ndryshme të agjencive të specializuara, por edhe skandale korruptive apo dyshime për pastrim parash të raportuara gjerësisht në media (për shembull rasti i pronës së patundshme (tokë bujqësore) në Porto-Romano, të blera fshatarëve edhe/ose të dhëna nga qeveria biznesmenit të huaj, Fazliç, përmendur edhe në Raportin e Departamentit amerikan të Shtetit për vitin 2009) dëshmojnë se objektiv i përdorimit të këtyre parave nuk është thjesht marrja nën kontroll e pasurive publike apo private me synim pastrimin e tyre, por edhe "blerja e së drejtës së shfrytëzimit të mëvonshëm", apo rezervimi i kësaj të drejte për periudhat e ardhshme. Në këtë të fundit, vlerësohet se një rol të madh luan edhe rrjedhja apo shitja e informacionit nga institucionet publike vendase dhe konsulentët e huaj që hartojnë projektet zhvillimore në sektorë të ndryshëm të ekonomisë, si në energjetikë, në industritë me shkallë të madhe potenciali të ndotjes së mjedisit etj., individëve që posedojnë para të dyshimta.

Gjendja bëhet edhe më serioze kur institucione shtetërore të ngarkuara me ligj për ruajtjen dhe përdorimin në mënyrë të përshtatshme të këtij informacioni përdoren nga elita politike për lehtësimin e penetrimit të investimeve të dyshimta në ekonominë e vendit tonë. Kështu, nga mas-media dhe nga përfaqësues të opozitës janë denoncuar një numër rastesh të kontratave koncesionare për investime të huaja të konsideruara si shumë të rëndësishme nga qeveria, si në industrinë e çimentos, në sektorin energjetik etj. Kriticizmi kryesor ndaj tyre lidhet kryesisht me procedimin e përshpejtuar që sjell mungesën e transparencës publike; përdorimin e koncesionit si metodë privatizimi në një kohë kur mund të zbatoheshin më me efektivitet metoda alternative që maksimizojnë përfitimet monetare dhe teknologjike të ekonomisë kombëtare; ofrimin të huajve sipas parimit/sloganit "Shqipëria një Euro" të pasurive të rëndësishme kombëtare, për të cilat ekzistonte një interesim i madh i investitorëve vendas (për shembull deri edhe sipërfaqe të tëra toke në bregdet për kultivimin e ullinjve etj); në rrezikimin e zhbalancimit të zhvillimit sektoral, ndër-sektoral dhe mbrojtjes së mjedisit (për shembull dhënia me koncesion e një numri shumë të madh të fabrikave të prodhimit të çimentos në pjesën qendrore e veriore të vendit të pabashkërenduara me strategjitë e zhvillimit bujqësor dhe ambiental të rajonit, zënien e territoreve të rëndësishme turistike me investimet për prodhimin e energjisë së erës në Karaburun etj.

Ndonëse informacioni zyrtar dhe evidencat përkatëse mungojnë, burime të besueshme konfirmojnë edhe interesimin në rritje ndaj bregdetit shqiptar dhe tregut vendas të pasurive të patundshme të investitorëve të dyshimtë, që drejtpërdrejt ose tërthorazi përfaqësojnë oligarkë rusë të pasuruar mbas përfundimit të "luftës së ftohtë", kryesisht nga tregtia e arsenaleve të armatimeve dhe municioneve, tregtisë së naftës e gazit, dhe trafiqeve të ndryshme. Kjo kategori investitorësh po tenton të penetrojë në ekonominë shqiptare kryesisht nëpërmjet partnerëve të biznesit të vet në vendet e rajonit, kryesisht të ish-Jugosllavisë, por edhe nëpërmjet lidhjeve të drejtpërdrejta të biznesit të një numri sipërmarrësish shqiptarë me vendet e ish-BS dhe duke përdorur individë të caktuar me lidhje të forta politike në vend.

Së gjashti, suksesi në luftën kundër fenomenit të pastrimit të parave kushtëzohet dukshëm edhe nga niveli i bashkëpunimit të institucioneve shqiptare si brenda përbrenda vendit me njëra-tjetrën, ashtu edhe agjencitë e specializuara të vendeve fqinje, atyre perëndimore etj.

Legjislacioni shqiptar në fuqi konsiderohet përgjithësisht bashkëkohor dhe trajton të trija etapat e pastrimit të parave: përfitimin e paligjshëm; fshehjen dhe integrimin e parave të pista në ekonomi. Pavarësisht punës së bërë deri më tani, si dhe përpjekjeve të donatorëve të ndryshëm (USAID etj.) për të inkurajuar bashkëpunimin ndërinstitucional dhe me partnerët perëndimorë, përsëri rezultatet janë ende në fillimet e veta, ndërsa nuk mungojnë ndërhyrjet politike, për shembull në përzgjedhjen e stafeve përkatëse teknike etj. Edhe vonesa njëvjeçare në zbardhjen e ngjarjes tragjike të Gërdecit, e për rrjedhojë mosndëshkimi deri më sot i personave përgjegjës për viktimat civile dhe për grabitjen e pasurisë publike, dëshmon jo vetëm nivel të pamjaftueshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, por edhe ushtrimin e presionit mbi to të parave të pista që kanë rrjedhur nga ajo aferë korruptive.

Së fundi, duhet pranuar se fenomeni i pastrimit të parave në ekonominë tonë kombëtare aktualisht nxitet edhe nga nevojat e ngutshme për para të partive politike të vendit në funksion të zhvillimit të fushatës zgjedhore të 28 qershorit 2009. Ndryshimi i sistemit elektoral të vendit, krahas me krijimin e kushteve për një përzgjedhje më të mirë të përfaqësuesve të partive politike në Kuvendin e Shqipërisë, ka krijuar nxitës të fuqishëm në radhët e bizneseve të mëdha vendase dhe të huaja që të tentojnë përfaqësimin e tyre të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në "altarin e kombit", kryesisht përmes pompimit të parave të ligjshme dhe të paligjshme në procesin elektoral. Për një numër shkaqesh, mekanizmat ligjore dhe institucionale mbikëqyrëse dhe ndëshkuese të këtij procesi në Shqipëri janë të dobëta, të mangëta dhe politikisht të kontrolluara drejtpërdrejt (edhe deklarimi i financimeve të partive parashikohet të bëhet para një institucioni politik - KQZ, ndërsa deri më sot asnjë parti politike shqiptare nuk ka paraqitur ndonjë bilanc zyrtar të burimeve të financimit të veprimtarisë së tyre).

Përfundimisht, me synim që në procesin e hartimit të "terapisë" anti-krizë edhe problemet që lidhen me fenomenin e pastrimit të parave dhe zgjerimit të hapësirës së tij pikërisht për shkak të saj (krizës), mendoj se janë pjekur kushtet që në vendin tonë të përmirësohet dhe të ngrihet në një nivel më të lartë veprimtaria e institucioneve ligjë-zbatuese, që minimizojnë mundësitë e ndodhjes së këtij fenomeni.

Në këtë mënyrë pakësohen edhe mundësitë që qarqe të interesuara kriminale vendase dhe të huaja të shfrytëzojnë krizën aktuale për qëllimet e tyre të errëta në dëm të ndërtimit të shtetit të së drejtës dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›