Avokati i biznesmenit Artan Dulaku kërkon dorëheqjen e gruas së ish-avokatit të Berishës
Procesi në Gjykatën e Lartë, një kolegj tjetër do të vendosë mbi kërkesën
Laureta Rryçi
Biznesmeni Artan Dulaku kërkoi dje që padinë e tij të mos e gjykonte bashkëshortja e avokatit të kryeministrit Sali Berisha. Që në seancën e parë, avokati i biznesmenit Dulaku, Lin Alia, ka parashtruar kërkesën e klientit të tij për përjashtim nga kolegji të një prej anëtarëve. Sipas avokatit, gjyqtarja Mirela Fana nuk mund të bënte një gjykim të drejtë të kësaj padie civile. Mirëpo kjo nuk ka qenë kërkesa e vetme që u bë sebep për shtyrjen e seancës. Evjeni Sinoimeri, një tjetër anëtare e këtij kolegji, kishte depozituar pak ditë më parë kërkesën për dorëheqje te kryetarja e Gjykatës së Lartë.
Kërkesa
Avokati mbrojtës i biznesmenit Artan Dulaku kërkoi me anë të një deklarate largimin e relatores së çështjes, Mirela Fana. Shkak për largimin e saj është bërë fakti se është bashkëshortja e njërit prej avokatëve të Sali Berishës, Neshat Fana. Ky i fundit, aktualisht anëtar i KLD-së, ka qenë prej vitesh përfaqësues ligjor i kryeministrit. Vetë gjyqtarja Fana, pasi dëgjoi kërkesën për përjashtimin e saj, deklaroi se nuk e sheh të arsyeshme të japë dorëheqjen. Pas këtij veprimi u vendos që shqyrtimi i kërkesës për dorëheqje të bëhet nga një tjetër trupë gjyqësore në datën 9 shkurt. Në këtë kërkesë të protokolluar pranë Gjykatës së Lartë, Dulaku, me anë të avokatit të tij, shprehet se bazuar në nenet 19, 21/2 i K. Pr. P., gjyqtarja Fana, si relatore e kësaj çështjeje, do të ketë njëanshmëri ligjore dhe procedim jo të drejtë e të barabartë në gjykim.
Ndërsa u shty seanca gjyqësore për të shqyrtuar kërkesën e Dulakut për përjashtimin e Fanës, një tjetër kërkesë është depozituar pranë kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj. Burime zyrtare pranë kësaj gjykate shpjeguan se është dorëzuar një kërkesë për dorëheqje nga ana e gjyqtares Evjeni Sinoimeri, e cila është anëtare e trupit gjykues së çështjes së mësipërme. Sinoimeri ka paraqitur dorëheqjen përpara kryetares së Gjykatës së Lartë, bazuar në Nenin 17 të K. Pr. P., pasi përfaqësuesi ligjor i Sali Berishës në këtë proces është i afërm i familjes së Sinoimerit.
Vendimi
Trupi gjykues u ka komunikuar pjesëmarrësve në këtë proces se bazuar në Nenin 21, pika 2 të K. Pr. P., në Gjykatën e Lartë do të hidhet shorti për përcaktimin e trupës së gjyqtarëve që do të shqyrtojnë kërkesën për përjashtimin e gjyqtares relatore Mirela Fana. Pas hedhjes së këtij shorti, anëtarët e trupit gjykues do ta shqyrtojnë këtë kërkesë më datë 09.02.2010. Në seancën e djeshme pritej që palët të përballeshin me kërkesën e Gjykatës për pajtim, ashtu siç ndodh në të gjitha proceset civile. Mirëpo duhet që kolegji të shprehet për kërkesën palës paditëse dhe më pas procesi t’u nënshtrohet procedurave të zakonshme që pikësëpari nis me seancën e pajtimit.
Kolegji civil i Gjykatës së Lartë që u zgjodh për të gjykuar padinë
1. Mirela Fana, relatore e çështjes
2. Aleksandër Muskaj
3. Irma Bala
4. Guxim Zenelaj
5. Evjeni Sinoimeri
Përse e paditi kryeministrin biznesmeni
Padia në ngarkim të Sali Berishës u bë nga përfaqësues ligjorë të kompanisë së ndërtimit “Edil Al” dhe u dorëzua në dhjetor të vitit të kaluar në Gjykatën e Lartë. Kjo kompani drejtohet nga Artan Dulaku, të cilin Sali Berisha e renditi në krye të sulmeve të tij të paprecedenta verbale, duke e quajtur “don Dollaku”. Juristët e kompanisë në fjalë, një nga taksapagueset më të mëdha në vend, deklaruan se në kërkesë është bërë edhe interpretimi përkatës se pse kërkesa është dërguar në Gjykatën e Lartë dhe jo në Prokurori. “Kërkesa për gjykim për shpifje ndaj shtetasit Sali Ram Berisha, aktualisht kryeministër i vendit, mbështetet në Nenin 55 të Kodit të Procedurës Penale”, – thuhet në deklaratën e juristëve të kompanisë. Padia u shoqërua atë ditë me një deklaratë për mediat, ku thuhej: “…Kompania ‘Edil Al’ shpreh shqetësimin e saj për klimën e krijuar pas sulmeve të pabaza, tendencioze dhe të paskrupullta që kryeministri i vendit Sali Berisha dhe qeveria e tij po ndërmarrin ndaj saj. Kompania ‘Edil Al’ i bën thirrje gjithë opinionit publik në vend, Presidentit të Republikës, Trupit Diplomatik, organizmave në mbështetje të biznesit, institucioneve ndërkombëtare se veprimi i qeverisë shqiptare për të sulmuar një kompani private biznesi për kapital thellësisht politik, është një agresion i mirëfilltë dhe një alarm i fortë për fatin që ka demokracia në Shqipëri”, - thuhej në deklaratë. Kompania “Edil Al” po sulmohet thjesht dhe vetëm se është bashkaksionere në media të pavarura, të cilat nuk bëjnë pjesë në klanin e mediave të vënë nën kontrollin e rreptë politik të qeverisë. Vizion Plus, paketa dixhitale “Tring”, gazetat “Albania” dhe “Korrieri” kanë qenë dhe mbeten të pavarura, në ruajtje të parimeve të mirëfillta profesionale, gjë e cila nuk i ka shkuar për shtat qeverisë. Ndaj, si ndëshkim ndaj këtij integriteti të mediave në të cilat “Edil Al” posedon aksione, qeveria nuk ka pushuar përgjatë gjithë vitit 2008 të bëjë kontrolle të njëpasnjëshme financiare, si mjet i pastër presioni ndaj mediave të pavarura. “Duke qenë se prej themelimit, një nga taksapaguesit më të mëdhenj në vend si biznes privat, Edil Al është përballur me këto presione me qetësi dhe transparencë. Por, edhe pse shteti nuk mundi të gjejë asgjë antiligjore gjatë gjithë kësaj periudhe kontrollesh, kjo nuk e ndryshoi qëllimin e kryeministrit për të dëmtuar kompaninë tonë. Prej disa muajsh, zoti Sali Berisha ka nisur një fushatë shpifjesh e trillimesh, përballje dhe akuzash të rreme ndaj Edil Al, duke dëmtuar rëndë interesat tona si dhe duke krijuar bindjen se nëse nuk vihemi nën tutelën e klanit të tij qeverisës, do të shkatërrojë biznesin tonë. Përballë kësaj gjendjeje anormale, ne kemi përgatitur një padi civile ndaj kryeministrit Sali Berisha, pasi imuniteti që posedon ky qeveritar e frenon gjykatën dhe Prokurorinë të nisë çështje penale për këto shpifje dhe mashtrime monstruoze. Është i njëjti imunitet për të cilin me demagogji qeveria shqiptare thërret se nuk do të përdorë në asnjë rast. Në një vend normal këto akuza të rreme do të binin menjëherë, duke bërë që të frenohej kryeministri, që me lehtësi shpif për mijëra metra katrorë dhe hapësira publike të shfrytëzuara gjoja prej nesh. Kompania ‘Edil Al’ deklaron se gjatë viteve 2006-2009 ka vetëm 21 mijë metra katrorë leje ndërtimi, të gjitha të aprovuara prej shumicës së djathtë në Këshillin Bashkiak. Edi Al nuk ka shfrytëzuar asnjë metër truall publik, kjo një tjetër shpifje e kryeministrit. Kompania jonë që nga themelimi deri sot, në të gjitha kontrollet e ushtruara nga Tatim-Taksat dhe institucionet e tjera fiskale, rezulton se i ka shlyer të gjitha detyrimet ndaj ligjit, përfshi dhe vitin 2008”, -përfundon deklarata e kompanisë.
Kjo kompani ka qenë e para që bëri padi për Berishën. Pas kësaj, në gjykatë vërshuan edhe të tjera padi në drejtim të kryeministrit.
6 Shkurt 2010