Skandali Greqi - Shqipëri, 15 mijë maune kontrabandë
Policia e Athinës zbardh skandalin, 10 doganierë grekë në hetim
ATHINË - Hetimet e Policisë së Athinës kanë zbuluar një skemë gjigante korrupsioni në doganat greko-shqiptare. Për një periudhë 4-vjeçare kanë kaluar nga pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës të paktën 15 500 maune kontrabandë. Verifikimet e nisura nga seksioni special i Ministrisë së Brendshme të Greqisë ka çuar në hetim 10 punonjës doganorë, të cilët kishin arritur të grumbullonin shuma të mëdha parash përmes skemës së ryshfetit. Burimet zyrtare kanë rrëfyer për agjencinë shtetërore greke “ANA” të gjithë skemën e mega-korrupsionit që bëhej në dy pikat doganore që shërbejnë për qarkullimin e mallrave dhe mjeteve mes dy vendeve. Nga të dhënat e para flitet për 5 doganierë të vënë në hetim në pikën e Kakavijës dhe 5 të tjerë në pikën që ndodhet në Janinë.
Operacioni
Për më shumë se katër vjet, disa doganierë grekë kanë bërë sasi të konsiderueshme parash, duke favorizuar kontrabandimin e mallrave dhe mjeteve që hynin në Shqipëri. Agjencia shtetërore “ANA” bëri të ditur dje se Departamenti i Çështjeve të Brendshme në Policinë greke ka zbuluar një skandal të madh, i cili përfundoi me ndalimin e 10 punonjësve të doganave në Kakavijë dhe Mertzani, në prefekturën e Janinës, e njëjtë me doganën e Kapshticës. Hetimet për zbulimin e abuzimeve financiare të punonjësve të doganave në vendin fqinj nisën rreth 1 vit më parë. Ata kanë favorizuar kontrabandimin e mallrave dhe mjeteve që hynin në Shqipëri. Agjencia shtetërore “ANA” bëri të ditur dje 10 oficerët e doganave janë akuzuar për formimin e një rrjeti që ka modifikuar dokumentet doganore, duke lejuar mijëra kamionëve për të kaluar kufirin greko-shqiptar, në këmbim të ryshfetit. Pesë punonjës në Kakavijë dhe katër në doganën e Janinës, përfshirë edhe një oficer doganor, janë vënë në ndjekje prej disa javësh. Sipas të dhënave të ANA-s, nga datat 27 shtator 2008 dhe deri më 13 janar 2010 doganierët kanë lejuar 11 814 kamionë të kalojnë ilegalisht kufirin në Kapshticës dhe 4780 kamionë të tjerë në pikën kufitare të Kakavijës. Sipas saj, hetimet kanë nisur që nga janari 2006 deri në vitin 2010. Agjencia “ANA” thotë së shuma e të ardhurave të humbura nga shteti besohet të jetë e madhe. Paratë e marra nga rrjeti ishte sipas vlerës së mallrave që transportohen dhe janë depozituara në një llogari të përbashkët, për t'u ndarë më vonë nga doganierët.
Pikëpyetjet
Të dhënat e publikuara në Greqi, pa dyshim që përballen me një realitet tjetër në vendin tonë, ku rastet e vënies nën hetim të doganierëve apo sekuestrimet e mjeteve për kontrabandë janë të rralla. Madje ato numërohen me gishtat e dorës. Rasti më i fundit ishte hetimi për dy doganierë në Kakavijë, ku njëri prej tyre përfundoi në qeli pas dhënies së masës së sigurisë nga Gjykata e Gjirokastrës. Shifrat që përmendin autoritetet greke, për rreth 15 500 maune kontrabandë, përbëjnë humbje të madhe financiare jo vetëm për Greqinë, por edhe për Shqipërinë. Por, hetimi i këtij rrjeti kontrabandimi mallrash dhe vënia para Drejtësisë e 10 doganierëve grekë nga autoritetet e vendit fqinj, vë para përgjegjësisë edhe autoritetet shqiptare, të cilat, deri më tani vetëm kanë heshtur ose arrestuar ndonjë doganier të vockël për lejimin e ca paketave cigare kontrabandë në kufi; apo në raste tepër të rralla, bllokimin e ndonjë mauneje. Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave flasin për një ulje të ndjeshme të të ardhurave nga Doganat gjatë vitit 2009. Sipas tyre, autoritetet doganore nuk kanë realizuar planin e parashikuar, duke krijuar një gropë të madhe financiare në buxhetin e shtetit.
6 Shkurt 2010