Shtrëngimi i masave dhe kriza, kreditë për banesa ulen me 30 për qind
Raporti i BSH-së konstaton ritmin e ulët të kredimarrjes për sektorin imobiliar
Ervin KOÇI
Marrja e një kredie për të blerë shtëpi në bankat e nivelit të dytë nga individët, është bërë sa e vështirë aq dhe e panevojshme. Shkaktare për këtë “dorëheqje” ose më mirë zbehje të nevojës për marrjen e kredive për shtëpi, duket se janë bërë vetë bankat private me politikën e tyre tepër rigoroze gjatë vitit 2009. E këtij mendimi është dhe Banka e Shqipërisë, e cila në deklaratën e saj më të fundit mbi politikën monetare për vitin 2009, ka pranuar rënien e aktivitetit të kreditimit nga bankat tregtare si për bizneset ashtu dhe për individët. Thellimi i krizës, por sidomos rritja e përqindjeve të kredive bankare, plus kësaj edhe shtimi i kritereve dhe dokumenteve që duhen për marrjen e një kredie si pasojë e pasigurisë dhe krizës, kanë qenë arsyet kryesore sipas BSH-së, që kanë mbajtur larg klientët e bankave për të marrë kredi. Në raport thuhet se, gjysma e dytë e vitit të kaluar ka sjellë një rënie drastike të nivelit të kreditimit për privatët nga ana e bankave të nivelit të dytë në Shqipëri. Aktualisht bankat private kanë nisur përsëri nga politika “agresive” për afrimin e klientëve që kanë nevojë për kreditim, por situata e pafavorshme për investime duket se edhe këtë vit do ta mbajë të ulët trendin e kredidhënies nga bankat private.
Ngadalësimi
Zhvillimet në kreditimin e sektorit privat gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 tregojnë për një ngadalësim të mëtejshëm të rritjes së kredisë. Rritja vjetore e portofolit të kredisë për sektorin privat u ngadalësua në 10 për qind në muajin nëntor. "Pastruar nga efekti i kursit të këmbimit, kjo rritje ishte vetëm 3 për qind, 4 herë më e vogël se ajo e qershorit të këtij viti. Ndryshe nga gjashtë muajt e parë të vitit 2009, në pjesën e dytë të tij, rënia e kërkesës për kredi po reflektohet në kreditimin me ritme gjithnjë e më të ulëta të sektorit privat", thuhet në deklaratë. Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik dhe pasiguria për të ardhmen përballë kritereve relativisht të shtrënguara në kredidhënie, kanë diktuar vendimet e subjekteve privatë për të shtyrë planet e investimeve dhe për të financuar më pak aktivitetin e tyre nëpërmjet huamarrjes, shton BSH. Për bizneset, pas një ngadalësimi me ritme të shpejta gjatë gjithë vitit 2009, në periudhën shtator - tetor portofoli i kredisë në valutë filloi të zvogëlohet, duke u tkurrur mesatarisht me 3.5 për qind në terma vjetorë. Rritja vjetore e kredisë në total për biznese gjatë gjysmës së dytë të vitit 2009 ka vijuar rënien e njëtrajtshme, duke arritur në 5 për qind në muajin nëntor.
Kredia për likujditet
Kredia për likuiditet vazhdon të rritet me ritme më të larta se ajo për investime. Tkurrja e aktivitetit kreditues është më e ndjeshme për sektorin e ndërtimit. Portofoli i kredisë për këtë sektor në pjesën e dytë të vitit është tkurrur me 1% krahasuar me vitin 2008, përkundrejt rritjes mesatare vjetore prej 24 për qind që dëshmoi në gjashtëmujorin e parë të vitit 2009. Ndryshe nga kredia për biznese, ngadalësimi i kredisë për individë është shfaqur që prej dy vitesh tashmë. Pas një zgjerimi modest gjatë gjysmës së parë të vitit 2009, portofoli i kësaj kredie ka filluar të tkurret muajt e fundit, duke qëndruar në nëntor në nivele rreth 1 për qind më të ulëta se një vit më parë, thuhet në deklaratë. Ku shtohet se "kredia për konsum, ecuria e së cilës ka qenë e dobët përgjatë gjithë vitit 2009, është tkurrur në terma vjetorë, duke shënuar në dy muajt e fundit një ndryshim vjetor negativ prej 10 për qind". Vlera mesatare e kredive të reja të dhëna nga bankat për blerje banesash gjatë pesë muajve të fundit, është rreth 30 për qind më e ulët se në gjashtë muajt e parë të vitit 2009.
USAID mbështet projektin e mbrojtjes së të dhënave personale
Drejtori i Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Adriatik Llalla dhe komisionerja për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Flora Çabej, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të vendosur në mënyrë zyrtare mënyrat e bashkëpunimit midis këtyre dy institucioneve në të ardhmen. ILDKP, e krijuar më 2003 për të ndihmuar reduktimin e korrupsionit në sektorin publik në Shqipëri, kontrollon të gjithë zyrtarët shtetërorë dhe investigon konfliktet e interesit. Çdo vit, ILDPK merr afërsisht 4000 forma deklarimi dhe përmes investigimeve të plota, ai zgjidh mesatarisht njëqind raste të konfliktit të interesit, ku zyrtarët janë shkarkuar, gjobitur ose detyruar të tërheqin konfliktin e interesit, ndërsa rastet e zyrtarëve të nivelit të lartë i janë dërguar zyrës së prokurorit të përgjithshëm. Ndërsa qëllimi i ILDKP-së është promovimi i transparencës, ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, ligj mbi të cilin komisioneri i ri për mbrojtjen e të dhënave personale ushtron aktivitetin e tij, përcakton rregullat dhe procedurat për mbrojtjen dhe përpunimin e të dhënave personale. “Është e rëndësishme që këto dy agjenci të punojnë së bashku në mbrojtje të informacionit të ndjeshëm që ILDKP merr çdo vit nga zyrtarët shqiptarë si edhe të plotësojë nevojën për një transparence më të lartë dhe përgjegjshmëri prej të gjithë zyrtarëve shtetërorë”,- tha këshilltari i projektit të USAID-it, Grant Uilson. “Agjencisë sonë i është dhënë një ndjenjë e lartë përgjegjësie dhe i janë besuar të dhëna personale të zyrtarëve shtetërorë”, do të thoshte nga ana tjetër lidhur me një fakt të tillë, inspektori i Përgjithshëm i ILDKP-së, Llalla. Pas ceremonisë së nënshkrimit, homologë nga të dyja agjencitë morën pjesë në një tryezë të rrumbullakët mbështetur nga USAID për të diskutuar rregullat mbi fshehtësinë dhe të drejtat e njeriut.
6 Shkurt 2010