Avokati i të rinjve: Është e lehtë të dalloje që posterat ishin një parodi
Katër aktivistë të rinj u arrestuan orët e para të ditës së martë në Tiranë, nën akuzën se kanë shpërndarë njoftime vdekje të kryeministrit Sali Berisha.
Katër të rinjtë, pjesë e forumit të të rinjve Rinia Aktive, po ngjisnin postera me njoftime të rremë vdekje në lagjen Don Bosko të kryeqytetit kur u ndaluan nga një patrullë policie.
Zëdhënësja e policisë së Tiranës, Alma Katragjini, tha se aktivistët ishin ndaluar me akuzën për shpifje dhe shpërndarje informacioni të rremë, dhe po mbaheshin në komisariatin numër tre, duke pritur seancën gjyqësore.
Por të mërkurën në mesditë, prokurori i shtetit arriti në përfundimin se kjo çështje nuk ishte bindëse dhe të rinjtë u liruan.
Avokati i aktivistëve, Andi Kananaj, tha se posterat ishin lehtësisht të dallueshëm si parodi dhe nuk përbënin rrezik për të krijuar panik apo të pengonin kryeministrin në kryerjen e detyrave zyrtare.
Më shumë ka të bëjë me dështimin e policisë për të kuptuar se ku konsiston një akt kriminal, thotë Kananaj.
Posterat gjithashtu e akuzonin atë si përgjegjës për shpërthimin vdekjeprurës në një vend demontimi municionesh në fshatin Gërdec, më 15 mars 2008, që vrau 26 vetë dhe plagosi më shumë se 300.
Një nga aktivistët e arrestuar, Geraldo Durdaj, 17 vjeç, humbi vëllain e tij gjashtëvjeçar gjatë shpërthimit. Të tjerë të arrestuar ishin Dritan Broka, 20 vjeç, kryetar i Rinia Aktive, Arlind Kote, 22, nënkryetar dhe Klevis Bejleri, 22 vjeç.
*Balkan Insight