E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Të ndryshohet sistemi zgjedhor, rriti konfliktin politik

Partia Republikane, ndryshe nga dy partitë e mëdha, është e mendimit se reforma zgjedhore duhet të përfshijë dhe ndryshimin e sistemit zgjedhor në vend. Ka qenë kreu i kësaj force, Fatmir Mediu, ai që duke folur lidhur me domosdoshmërinë e reformës zgjedhore dhe plotësimin e rekomandimeve të raportit të ODIHR, shprehet se i nevojshëm është edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor. Kjo, sipas tij, për shkak se sistemi i ri ka rritur konfiktualitetin dhe ka larguar zgjedhësin nga i zgjedhuri. “Sistemi zgjedhor ka rritur ndjeshëm konfliktin politik në vend dhe ka ulur ndjeshmërinë e atyre që zgjidhen në raport me votuesit që i kanë zgjedhur. Po ashtu, ka dëmtuar rëndë demokracinë partiake, konkurrimin brenda partive politike. Duhen parë këto aspekte të Kodit Zgjedhor sesi duhen zgjidhur dhe brenda kësaj i gjithë administrimi zgjedhor, i cili përbën një kusht të domosdoshëm për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme”, - tha Mediu. Po për të arritur deri këtu, Mediu nuk e sheh si të nevojshme ndryshimin e Kushtetutës, pasi korrigjimet, - thekson ai, - mund të bëhen sërish në ligjin e zgjedhjeve, në kuadër të reformës zgjedhore.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›