PSV91, Koçi: Raporti ishte i ndershëm me klasën politike
Kreu i PSV-91, Petro Koçi, vlerëson se raporti i OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet vendore të 8 Majit është një dokument serioz dhe i ndershëm me klasën politike dhe me shoqërinë shqiptare. PSV, tha ai, nuk ka asnjë rezervë për raportin dhe do të punojë për implementimin e konkluzioneve dhe rekomandimeve të tij. “Transparenca në vjedhjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga qeveria i fëlliqi zgjedhjet dhe e rikompromentoi imazhin e politikës shqiptare te komuniteti ndërkombëtar. Konkurrueshmëria evidente mes standardeve të pastra zgjedhore dhe epshit për pushtet ekzekutiv përfundoi në kurriz të plotësimit të standardeve, duke e lënë shumë mbrapa vendin tonë në krahasim jo vetëm me vendet e BE por edhe me ato të rajonit”, theksoi Koçi. Në vlerësimin e tij është koha që qeveria t’i vërë gishtin kokës dhe t’i bashkohet përpjekjeve të opozitës për t’i dhënë zgjidhje të qëndrueshme krizës politike dhe asaj zgjedhore. “Zgjidhja afatgjatë e krizës politike fillon nga reforma kushtetuese, duke korrigjuar ndërhyrjet pa pikë kujdesi mbi dokumentin themelor të shtetit më 21 prill 2008”, theksoi Koçi.