E Diel, 1 Nëntor 2026

Salianji, PS: KQZ të mos drejtohet nga mazhoranca

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk duhet të drejtohet nga mazhoranca. Këtë e deklaron një nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste në institucionin e menaxhimit të zgjedhjeve, Eridian Salianji. Duke iu referuar raportit të fundit të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet administrative të 8 Majit, Salianji theksoi se në Shqipëri ka nevojë jo për arnime por për ndryshim të thellë në Kodin Zgjedhor. Nga raporti i OSBE/ODIHR-it, tha ai, mund të dalim në përfundimin se qeveria me mjetet dhe format e saj e ka keqpërdorur, e ka sjellë KQZ-në në humbje besimi. “Nuk mund t’i lihet më në dorë drejtimi mazhorancës qeverisëse, të paktën sa të kalojë tranzicioni”, theksoi Salianji. Ai këmbënguli se vlen të përmendet vendimi nr.709 i KQZ-së, që ishte pretendimi i opozitës për një akt normativ. “Raporti e konstaton qartë se ishte i tillë. Vihet re kontradikta e Kolegjit në vendimin ku thotë se nuk ishte akt normativ dhe pastaj thotë rregulloi situatë të re. Vendimi i cili i vuri vulën procesit u anatemua edhe në raportin paraprak dhe tanimë gjen pasqyrim të saktë. Në raport thuhet se vendimi i Kolegjit ka kontradikta, pasi anuloi shpalljen e rezultatit dhe pastaj tha jeni jashtë afatit”, insistoi Salianji. Edhe më herët socialistët kanë deklaruar publikisht nevojën e ndryshimeve thelbësore në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Shqipërisë. Jo zyrtarisht, është thënë edhe se po mendohen formula të ndryshme kompozimi të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me qëllim funksionimin e balancuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›