E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatja: Disa gjyqtarë morën para

Në kohë rekord, në të tre shkallët e gjyqësorit është mbyllur një çështje pronësie brenda nëntë muajve. Të gjithë jemi dëshmitarë dhe të ndërgjegjshëm se sa vite duhet të kalojë një qytetar i thjeshtë duke u sorollatur në dyert e gjykatave për të marrë vendimin në dorë. Por ky gjyq maratonë ka përfunduar në kohë rekord. Pa dashur të qëndrojmë në krahun e askujt dhe as t‘i japim tapinë ndonjërit, "Fiks Fare" dje transmetoi akuzën e një qytetareje, e cila si palë e tretë në këtë proces gjyqësor që zgjati vetëm 9 muaj, humbi pronën e saj. Engjëllushe Kadiu bleu një sipërfaqe të madhe toke nga pronarët e ligjshëm të tokës. Prova e kësaj pronësie ishte vërtetimi i nxjerrë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Por pak muaj më vonë, sa hap e mbyll sytë, gjykata me vendim ndryshoi gjithçka. Duke parë këtë përmbysje të fakteve brenda 9 muajve, zonja Kadiu ngre akuza për korruptim të gjyqtarëve. Por çfarë ka ndodhur vërtet me këtë çështje? Thëniet dhe dyshimet e qytetares Kadiu i vërteton edhe avokatja mbrojtëse e palës kundërshtare, zonja Idajete Kundarxhi. Kjo avokate e ka përfaqësuar palën fituese vetëm në shkallën e parë të gjyqësorit. Ajo pohon se personat që kanë fituar gjyqin kanë dhënë shumë para. Ata nuk kishin fare vërtetim pronësie dhe megjithatë u bënë pronarë. Ndërsa në Gjykatën e Apelit, avokatja Kundarxhi tregon se si pala fituese kishte vënë në dispozicion të gjyqtarit një apartament për të fituar gjyqin. Të ndodhur përballë këtyre fakteve, humbësit e gjyqit iu drejtuan edhe Kryeministrit të vendit. Drejtoria e Antikorrupsionit mori në dorë vendimet e gjykatave. Për katër muaj specialistët e kësaj drejtorie kontrolluan të gjitha provat që kishte marrë për bazë gjykata. Ish-kreu i kësaj drejtorie, zoti Enkelejd Alibeaj, sot ministër i Drejtësisë, firmosi një relacion, ku shënoheshin të gjitha shkeljet e gjyqtarëve në shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në fund të raportit të tij, zoti Alibeaj konstaton se vendimet e gjykatave për këtë çështje nuk ishin të drejta.

Raporti

Në vitin 1997, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës ka vendosur se nuk ka mbivendosje prone midis pronës së familjes Mema dhe pronave të familjes Zhegu e Çollaku. Ky vendim është lënë në fuqi nga gjykatat e tjera. Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në shkallë të parë, por kjo gjykatë e pushoi, sepse nuk paraqitej paditësi. Vendimi mori formë të prerë. Në vitin 2005 Gjykata e Tiranës ndryshoi pronarët e truallit

Shkeljet

1. Sipas zotit Alibeaj, Gjykata e Shkallës së Parë e Tiranës, me vendimin e saj të vitit 2005 ka dalë jashtë juridiksionit të saj. Gjykata ka keqinterpretuar nenin 27/a të ligjit 7698

2. Nuk ishte thirrur Avokatura e Shtetit, si institucion kompetent sipas ligjit për të mbrojtur interesat e shtetit lidhur me një sipërfaqe prej 1070 m2

3. Gjykata e Tiranës ka gabuar që pranoi padinë në pjesën që kërkohet nga paditësi, për sa i përket korrigjimit të vendimit të Komisionit të Kthimit të Pronave, dhënë në favor të trashëgimtarëve Çollaku. Me këtë veprim, gjykata ka shkelur kërkesat ligjore të nenit 176 të Kodit të Procedurës Civile mbi legjitimitetin aktiv të paditësit. Të drejtën për të kërkuar korrigjimin e një vendimi të KKK pronave në lidhje me kthimin fizik ose jo të pronës e ka vetëm personi, në favor të së cilit është nxjerrë, pra vetëm trashëgimtarët Çollaku

4. Gjykata mori përsipër të azhornojë pronat me anë të një akti ekspertimi, i cili nuk është bërë nga specialistët e Komisionit të Kthimit të Pronave dhe ky nuk është një veprim i drejtë

5. Gjykata ka dhënë një vendim bazuar mbi prova që i ka interpretuar në mënyrë të gabuar dhe pa lidhje me çështjen. Pra, objekti ka qenë njohja e pronësisë për Sadik Ibrahim Memën. Gjykata ka pranuar një dokument "vërtetim pronësie" që i njeh pronësinë Hasan Memës dhe jo Sadik Ibrahim Memës

6. Vlerësim të gabuar të provave për sa u përket dokumenteve të pronësisë së ish-pronarit Sulejman Zhegu. Meqë me këto vendime gjyqësore është cenuar edhe interesi i shtetit për sipërfaqen 1070 m2, zoti Alibeaj rekomandon që Avokatura e Shtetit të kundërshtojë këto vendime gjyqësore, duke ngritur kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për zhvillim të parregullt të procesit gjyqësor nga gjykatat e të gjitha shkallëve



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›