E Shtunë, 31 Tetor 2026

E pamundur të ndalet referendumi

Referendumi për ndryshimet më të fundit që iu bënë Kushtetutës shqiptare më 21 prill është sot një realitet parimor dhe pikërisht për këtë arsye të fundit ka vënë në vështirësi të madhe ata që bashkëjetesën me parimet e kanë të vështirë, pse jo edhe të pamundur. Argumenti bazë i shumicës shumë të madhe që mbështet sot referendumin është një dhe vetëm një, e bazohet te përcaktimi latin "Vox populi vox dei", thënë shqip "zëri i popullit është zëri i Zotit".

Në frymën e këtij përcaktimi është ngritur edhe Kushtetuta jonë, ose më saktë ajo që kishim deri para 21 prillit. Për të sqaruar çdo të çoroditur ndër sofizma të komisionuara, neni 2 i Kushtetutës është përkthimi juridik kushtetues i këtij vullneti për t‘ia dhënë sovranit të drejtën që të vendosë. Për cilindo lexues normal të Kushtetutës është lehtësisht e kuptueshme se fryma e një Kushtetute dhe inspirimi thellësisht demokratik nga ai diktatorial merr udhë që në nenin 2 dhe më pas gjithçka ecën në këtë frymë.

Është vërtet një mundim i madh leximi i argumenteve të lodhura të disave kundër nenit 2 të Kushtetutës dhe sigurisht përjetimi i parë është ai i keqardhjes që provon kur sheh se si një individ i vogël del me duar lart që të mbajë një ortek gjigant, ku në këtë betejë fundi dihet dhe nuk ka asnjë kuriozitet. Sigurisht edhe kundërvënia e neneve të tjera ndaj nenit 2 është padyshim një ndërmarrje e falimentuar, sepse e gjithë Kushtetuta që u miratua në vitin 1998 ishte tërësisht e konceptuar sipas asaj fryme që ky nen i madh indukton. Dhe leximi i saj sot, prej atyre që janë ngazëllyer nga ndryshimet e 21 prillit, është i pamundur. Këta sofistë, që e urrejnë popullin e tyre, e shohin këtë Kushtetutë pa nenin 2 të saj, sepse ai u kërkon ta pranojnë që në këtë vend qeveris vullneti i sovranit dhe jo vullneti i atyre që vjedhin vota, që prodhojnë "dushqe" e që masakrojnë Kushtetutën.

Ka lexues të mbrapshtë të Kushtetutës sonë, që edhe nenin 150 duan të na imponojnë ta lexojmë me pahir, sikurse duan ata që nuk rrojnë dot pa u përdorur nga diktaturat e individëve të të gjitha llojeve. Ky nen, që inspirohet nga neni 2, nuk vendos as kufij dhe as nuk i imponon popullit rëndësinë e gjërave, pra ia lë atë gjykimit të tij dhe mijëra firmave të qytetarëve, të cilët detyrojnë një kërkesë për referendum, pra për t‘u shprehur, pa imponuar përfundimin, por duke legjitimuar mundësinë thellësisht demokratike të popullit për të thënë të tijën. Ka ca "ustallarë" që kërkojnë të na imponojnë edhe shqipen se si duhet ta lexojmë, për arsyen e thjeshtë sepse kanë frikë shumë të madhe nga populli.

Kërkesa për referendum është dhe mbetet në themelin e saj kushtetues dhënia e të drejtës së popullit për t‘u shprehur dhe vlerësuar abuzimin e padëgjuar të 115 deputetëve me Kushtetutën që vetë populli miratoi. Lexuesit e mbrapshtë të Kushtetutës nuk thonë më asnjë fjalë për kataklizmën antidemokratike që i ka ndodhur asaj dhe as për frymën diktatoriale kryeministrore që ajo ka në gjendjen e mjerë ku është katandisur pas 21 prillit. Diskutimi për mbajtjen ose jo të referendumit është pra një avokati për neodiktaturën dhe është thellësisht keqardhëse ta dëgjosh këtë nga disa që kanë qarë dhe ulëritur për diktaturën e liderëve, por duket qartë që e kanë pasur hallin vetëm që privilegjin e diktaturës ta kishin vetë ata dhe jo të tjerët.

Sot, një Shqipëri e integruar kërkon thellimin e demokracisë direkte, sepse diktatura e gjatë 50-vjeçare e Partisë së Punës ka pasur natyrshëm ndikimin e saj të fortë në ndërgjegjen shoqërore të shqiptarëve. Të gjitha çerek-arsyetimet e gjymtuara sofiste, që i shërbejnë mbylljes së gojës së popullit, janë një mision antikombëtar, por edhe i pamundur. Rruga e referendumit është e vetmja mundësi e madhe që ky vend të gjejë qetësi dhe që populli të rivendosë normalitetin demokratik në Shqipërinë që synon Evropën.

Referendumi nuk e imponon vullnetin e popullit, por i jep mundësinë atij të vendosë për fatet e tij. Kush mendon së zëri i popullit është i tepërt, është i rrezikshëm dhe se popullit i duhet zënë goja, le të gjejë më mirë një popull tjetër, sepse populli shqiptar ka ditur të miratojë Kushtetutën demokratike në vitin 1998, por ka ditur të hedhë poshtë në mënyrë plebishitare ato të inspiruara nga fryma e krijimit të diktaturave, si Kushtetuta e 1994-ës.

Ndaj është e pamundur të ndalet referendumi dhe këtë e dinë mjaft mirë dhe ata që po torturohen të thonë ndryshe, por në fund të fundit, referendumi është një mundësi edhe për ata, që duke e votuar atë, të çlirohen nga ankthi i komisionuar që po u bren shpirtin dhe disave po u turpëron diplomat dhe zanatin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›