E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i ri: Mbi 80 mijë të vdekur dhe të zhdukur

Më shumë se 80 mijë njerëz kanë vdekur apo mungojnë ende në apel pas tërmetit më vdekjeprurës në Kinë këto dekadat e fundit. Shifrat janë prezantuar nga qeveria kineze, sipas së cilës tani vjen në rritje shqetësimi për sëmundjet, pasi sezoni i shirave dhe lëkundjet e tjera të tokës që pasuan tërmetin mund të sjellin edhe më shumë dhimbje. Më herët, autoritetet kishin thënë se prisnin që bilanci përfundimtar i viktimave të shkonte në mbi 50 mijë. 10 ditë pas tërmetit me manjitudë 7.9 ballë të shkallës Rihter, që goditi zonën malore në jugperëndim të vendit, përpjekjet e skuadrave të shpëtimit janë përqendruar tani te 5 milionë të pastrehët dhe miliona të tjerët që përballen me sëmundje dhe me katastrofa të tjera të mundshme dytësore. Qeveria i ka kërkuar komunitetit ndërkombëtar të sigurojë ndihma të tjera, duke thënë se nevojiten edhe më shumë se 3 milionë tenda, pasi deri më tani vetëm 400 mijë kanë mbërritur në zonën e katastrofës. Spitalet në Sichuan janë të mbipopulluara dhe mbi 300 mijë janë të plagosurit. Kjo ka detyruar qeverinë të ofrojë shërbime ekstra të trenave dhe trageteve për të transportuar të plagosurit në pjesë të tjera të vendit. Shiu i rrëmbyeshëm, dëbora dhe lëkundjet e tjera të tokës kanë shtuar rreziqet me të cilat përballen më shumë se 100 mijë trupat e ushtrisë që po ndihmojnë skuadrat e shpëtimit. Më shumë se 5 mijë punonjës të shëndetësisë janë shpërndarë në zonat e katastrofës dhe po dezinfektojnë qindra fshatrat e rrënuar, ndërsa mjekët dhe infermierët janë përqendruar përreth kampeve të përkohshme në përpjekje për të evituar përhapjet e sëmundjeve mes të mbijetuarve. Një zyrtar i shëndetësisë tha ndërkohë për agjencinë "Reuters" se i druhet tani edhe një shpërthimi epidemie, pasi kushtet e higjienës janë të këqija. Situata bëhet akoma më alarmante nga një lëvizje masive e popullsisë, bashkë me të cilën mund të "udhëtojnë" edhe viruset e bakteret e ndryshme. Druhet madje edhe për një shpërthim meningjiti. Epidemitë mund të përhapen edhe nëpërmjet brejtësve, ndërsa meningjiti, një inflamacion i membranës që mbulon trurin dhe shtyllën kurrizore, shkaktohet nga bakteret dhe viruset. Ai mund të jetë fatal në rast se nuk ka kushte për trajtim të menjëhershëm. Në pjesën më të madhe të rasteve janë me mijëra të mbijetuarit që janë vendosur në qendra të përkohshme, ndaj edhe rreziku i përhapjes së viruseve apo baktereve është ekstremisht i madh. Qeveria ndërkohë ka urdhëruar shpërndarjen urgjente të miliona vaksinave kundër hepatitit, encefalitit, etheve hemorragjike dhe kolerës në zonë. Kryeministri Uen Xhiabao është rikthyer ndërkohë sërish në lokalitetin Beichuan, ku dy të tretat e popullatës kanë humbur jetën. Autoritetet lokale planifikojnë rindërtimin e Beichuanit, por plani ende duhet miratuar nga qeveria. As edhe një godinë e vetme në këtë qytet nuk ka mbetur më këmbë. Ndërkohë, banorët e mbijetuar gërmojnë tani nën gërmadha për të gjetur ndonjë objekt që t‘u kujtojë shtëpitë e tyre.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›