Kroatët shtrijnë duart drejt INSIG
Shoqëria kroate "Croatia Osiguranje" kishte deklaruar pak kohë më parë se interesohej të blinte një pjesë të aksioneve të shoqërisë me gjysmë kapital shtetëror, INSIG. Me kalimin e kohës u duk se kroatët e kishin harruar projektin në fjalë, ndërsa qeveria shqiptare përshpejtoi procedurat për miratimin e formulës së privatizimit të 61 për qind të aksioneve. Por vetëm dy ditë më parë, shoqëria në fjalë, gjatë analizës së bilancit financiar për vitin 2007, ka deklaruar për mediat kroate, se në planet e tyre konkrete ekziston pjesëmarrja në procesin e privatizimit të shoqërisë, e cila operon në fushën e sigurimeve. Qeveria ka ratifikuar marrëveshjen në Kuvend me dy aksionerët e tjerë të INSIG, BERZH dhe IFC, të cilët zotërojnë aksione me nga 19.5 për qind secili. Në bazë të këtij ratifikimi, të dy aksionerët, gjithashtu edhe donatorët kryesorë të shoqërisë, bien dakord për shtyrjen e afatit të privatizimit, deri në dhjetor 2008. Procesi duhet të kishte përfunduar brenda vitit që shkoi, sikurse e parashikonte ligji, por dështimi disa herë i tenderit për gjetjen e konsulentit solli vonesa në finalizimin e privatizimit.