E Shtunë, 31 Tetor 2026

Axhenda e Ramës te Topi, LMN kërkon mbledhje Asambleje

Qëndrimi
Deputeti Kastriot Islami: Rama të mbledhë strukturat për bojkotin dhe negociatat te Presidenti

Kastriot Islami, një prej deputetëve të Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, bën thirrje që të ketë një mbledhje të Asamblesë Kombëtare ose edhe grupit parlamentar që të diskutohet axhenda me të cilën Partia Socialiste do të shkojë në tryezën e Presidentit. Veç të tjerash, deputeti socialist kërkon që të diskutohet edhe çështja e ndërprerjes së bojkotit. “Mendoj që PS-ja fillimisht duhet të mbledhë urgjentisht forumet dhe duhet të kërkojë dhe të miratojë në këto forume platformën e negocimit te Presidenti i Republikës dhe njëkohësisht ashtu siç e kanë kërkuar edhe disa anëtarë të Asamblesë në mbledhjen e fundit dhe siç është vendosur duhet të rivlerësojë të gjithë situatën politike dhe në mënyrë të veçantë çështjen e ndalimit të bojkotit”, tha Islami. Sakaq, ai u përgjigjet akuzave të ditëve të fundit të artikuluara nga kryetari i partisë, Edi Rama, por edhe nga deputetëve të tjerë socialistë. Kastriot Islami hodhi poshtë akuzat e kolegëve të tij socialistë dhe kryetarit të partisë Edi Ramës, se Lëvizja për Mendimin Ndryshe është sponsorizuar nga Berisha për udhëtimin e saj në Bruksel. Madje, Kastriot Islami kujtoi se është më socialist se vetë Edi Rama. “Jemi socialistë të vërtetë. Madje shumë më të vërtetë dhe me rrënjë më të thella se sa vetë Edi Rama. Më vjen keq që zoti Rama ka rënë në një gjendje të tillë kaq të rëndë dhe dashje pa dashje nuk e mban dot mllefin dhe ndoshta janë elemente të hakmarrjes së tij”, tha Islami. Madje, sipas analizës së socialistit Islami, citatet dhe fjalori politik i Edi Ramës në këtë periudhë ngjan si dacibaot e revolucionit kulturor kinez. “Nuk mendoj se duke shpërndarë citate ndaj atyre që mendojnë se ju përkrahin apo besnikëve apo duke lëshuar dacibao ndaj kundërshtarëve mund të arrihet suksesi i PS-së. Kjo është një periudhë tashmë e kaluar e revolucionit kulturor kinez. Edhe vetë kinezët e kanë kritikuar këtë praktikë. Nuk besoj se kjo i jep sukses PS-së”, u shpreh Islami. Ditën e shtunë, sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në PS, Arta Dade, i bëri thirrje Berishës që të ulet në një tryezë me presidentin dhe se nuk mund të ndalojë dialogun me sponsorizime opozitarësh, referuar vizitës së tre deputeteve të LMN-së në Bruksel javën e kaluar.“Më lejoni të ripërsëris seriozitetin dhe angazhimin e Partisë Socialiste për daljen nga kriza gjithëdimensionale ku është zhytur vendi, krizë e cila evidentohet më se një herë në rezolutën e kaluar së fundmi nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës”, tha ajo.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›