E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhjetë për qind e buxhetit të mbrojtjes për pesë helikopterë

Parlamenti merr në shqyrtim kontratën e prokurimit të drejtpërdrejtë

Kompania franceze “Eurocopter” do të marrë 78.6 milionë euro
Projekti për blerjen e pesë helikopterëve francezë pritet t’i kushtojë Shqipërisë 10-20 për qind të totalit të shpenzimeve për mbrojtjen për katër vitet e ardhshme, bëhet e ditur nga të dhënat e kontratës së blerjes së helikopterëve që mbërriti dje për diskutime në Kuvendin e Shqipërisë. Sipas relacionit që shoqëron projektligjin për blerjen, pesë helikopterët do të kushtojnë së bashku 13.2 miliardë lekë, shpenzime që do të kryhen në periudhën 2010-2013. Vetëm këtë vit, pagesa e helikopterëve do të kushtojë rreth 3 miliardë lekë, shifër kjo e barabartë me 15 për qind të fondit të përgjithshëm prej 18 miliardë lekësh që ka në dispozicion Ministria e Mbrojtjes. Helikopterët e rinj janë multifunksionalë dhe sipas relacionit të qeverisë, do të shërbejnë mes të tjerash edhe për shërbimin e transportit të njerëzve me rëndësi të veçantë, (VIP).
Ministria e Mbrojtjes mori një rritje të konsiderueshme të fondeve në dispozicion në vitin 2007, kur qeveria vendosi të plotësojë para kohe standardin e NATO-s për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për Mbrojtjen Kombëtare. Në fakt, NATO pati kërkuar rritjen graduale të shpenzimeve, ndërsa qeveria vendosi ta rrisë menjëherë. Që nga ajo kohë, Ministria e Mbrojtjes nuk ka qenë në gjendje të shpenzojë të gjitha paratë në dispozicion, ndërsa falë projektit të helikopterëve, nuk do ta ketë më këtë shqetësim.
Blerja
Kompania franceze “Eurocopter” dërgoi zyrtarët e saj të lartë në Shqipëri në vitin 2007. Sipas njoftimeve të qeverisë në atë kohë, kjo kompani do të investonte në Shqipëri për ndërtimin e fabrikave për helikopterë, duke krijuar vende pune. Qeveria pagoi edhe reklama televizive për të reklamuar investimet e “Eurocopter”-it, si dhe ndryshoi vendimet e veta duke i dhënë mundësi Ministrisë së Mbrojtjes të kryente prokurim të drejtpërdrejtë për blerjen e helikopterëve. Sipas relacionit që shoqëron ligjin, procedura e prokurimit është blerje e drejtpërdrejtë. Shqipëria zotëron një flotë prej 12 helikopterësh transporti të dhuruar nga Gjermania në vitin 2004, të cilët përdoren pjesërisht nga autoritetet ushtarake dhe pjesërisht nga autoritetet civile.
Helikopterët e rinj
AS 532 AL Cougar është varianti më i fundit i helikopterit të modelit "Puma" që u zhvillua në Francë në vitet ‘80. Ai ka kapacitet për të mbajtur 20 trupa dhe peshë prej 4.5 tonë. Ka aftësi të fluturojë me shpejtësi 249 kilometra në orë dhe ka një rreze veprimi prej 530 kilometrash. Përdoret nga ushtritë e shumë vendeve të botës.
Diplomacia e armëve
Qeveria shqiptare duket se është angazhuar gjatë viteve të fundit në të ashtuquajturën “diplomaci e armëve”, një skemë që sugjeron blerje armatimesh të shtrenjta në këmbim të favoreve politike. Në rastin konkret, synohet të blihet mbështetja e Francës për integrimin Europian të Shqipërisë. Dy vite më parë, Shqipëria nënshkroi një kontratë për blerjen e katër varkave të patrullimit detar për rojën bregdetare nga një kompani holandeze. Kostoja e kontratës ishte rreth 16 milionë euro.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›