Axhenda e opozitës dhe humbja e shumëfishtë e Berishës Nga Mero Baze, “Faktori Plus”Qeveria shqiptare ka identifikuar gjithë problemet që ajo ka me krizën politike në vend, dhe partnerët tanë perëndimorë, përmes përmbajtjes së amendamenteve që ajo pr
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Axhenda e opozitës dhe humbja e shumëfishtë e Berishës Nga Mero Baze, “Faktori Plus”Qeveria shqiptare ka identifikuar gjithë problemet që ajo ka me krizën politike në vend, dhe partnerët tanë perëndimorë, përmes përmbajtjes së amendamenteve që ajo propozoi për të ndryshuar thelbin e rezolutës së KiE. Amendamentet e hedhura poshtë, në të vërtetë rrezatojnë gjithë vizionin e qeverisë shqiptare për krizën dhe distancën e krijuar mes saj dhe aleatëve të saj perëndimorë.
Së pari, ato rrezatojnë vizionin e qeverisë për të mos e njohur krizën. Duke mos njohur krizën, dhe duke u përpjekur ta personalizojnë atë me emra të përveçëm politikanësh, gazetarësh apo biznesmenësh, Berisha në të vërtetë po përpiqet të justifikojë jo vetëm moszgjidhjen e saj, por dhe fushatat linçuese mbi medien dhe biznesin, në formë hakmarrjeje për krizën. Dhe kjo po lexohet përditë e më qartë. Kontrollet financiare vetëm në mediet kritike dhe sulmet vetëm ndaj biznesmenëve që mbështesin këto media, janë një mënyrë se si Berisha e lexon krizën dhe shkaqet e saj.
Së dyti, amendamentet rrezatuan armiqësinë e qeverisë ndaj institucionit të presidentit. Fakti që Asambleja e KiE u fokusua te roli i presidentit Topi, rriti ndjeshëm nervozizmin e Berishës dhe agresivitetin e tij. Edhe pse ka 4 ditë që është miratuar Rezoluta, Berisha ende, nuk ka pranuar rolin e presidentit Topi si negociator. Amendamentet e dështuara po ashtu rrezatuan distancën e Berishës me Perëndimin, duke kërkuar që Këshilli i Evropës të qëndronte larg krizës shqiptare. Kjo natyrisht që lexohet si distancë, e cila mund të përkeqësojë raportet e Shqipërisë me Perëndimin. Por ajo ç’ka është më e rënda në gjithë detajet e përpjekjeve të Berishës për të ndryshuar pa sukses rezolutën është qëndrimi i Partive Popullore Evropiane, aleate të PD-së. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, dominohet nga e djathta dhe nga partitë aleate të Partisë Demokratike të zotit Berisha. Kjo ishte dhe arsyeja pse Berisha u inkurajua të bënte dhjetë amendamente për të ndryshuar thelbin e rezolutës. Fakti që kjo shumicë në Asamblenë e KiE nuk mbështeti Berishën, është shenja më e fortë e krizës së raporteve të partisë së tij me Perëndimin. Kjo tregon se rezoluta është lexuar si një fotografi e gjendjes dhe jo si çështje e lobimit politik. Dhe kjo e ka dëmtuar Berishën me shumë se çdo gjë tjetër në gjithë historinë e miratimit të rezolutës kundër tij. Me këtë rezolutë, Berisha jo vetëm që ndërkombëtarizoi krizën, por ndërkombëtarizoi dhe pikëpamjet e tij të mbrapshta për moszgjidhjen e saj, qëndrimet e tij kundër Këshillit të Evropës dhe institucionit të Presidentit në Shqipëri, si dhe distancën që ka krijuar me aleatët e tij të djathtë në Evropë, të cilët votuan kundër tij në Strasburg. Kjo e bën të shumëfishtë humbjen e tij politike, dhe urgjente nevojën për reflektim për ulje në tryezë të Presidentit për zgjidhjen e krizës.