E Diel, 1 Nëntor 2026

Të komprometuar dhe të koriturNga Blerim Shala Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj, po mundohen, me të gjitha mjetet, ta kontrollojnë besimin dhe shpresën e qytetarëve, duke qenë prodhuesit më të mëdhenj në rajon dhe më gjerë të mashtrimeve poli

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Të komprometuar dhe të koriturNga Blerim Shala Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri i saj, po mundohen, me të gjitha mjetet, ta kontrollojnë besimin dhe shpresën e qytetarëve, duke qenë prodhuesit më të mëdhenj në rajon dhe më gjerë të mashtrimeve politike, ekonomike dhe sociale.

Njerëzit presin prej nesh t’i zgjidhim problemet. E ne jemi duke u përballur me deficitin e besimit, me dyshimet e thella se si vepron Washingtoni. Kemi pasë telashe të mëdha këtë vit, por unë zgjohem çdo mëngjes duke e ditur që ato s’janë gjë prej gjëje, krahasuar me telashet që familjet i kanë pasë anekënd vendit tonë gjatë këtij viti.

Këto ishin porositë kryesore që Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i shqiptoi në Adresimin tradicional kombit të të Parit të Shtëpisë së Bardhë (dhe të Botës Demokratike), pak ditë më parë.

Megjithëse SHBA-ja përballet me dy luftëra, në Irak dhe në Afganistan, të cilat janë pjesë përbërëse e Luftës kundër terrorizmit global, Presidenti Obama, dy të tretat e fjalimit të tij të parë të këtij lloji, ia kushtoi problemeve ekonomike dhe sociale të vendit, pikërisht për shkak që atij, Administratës Amerikane, Washingtonit zyrtar, i duhet të mëkëmbë besimin e lëkundur, mbi të gjitha, me përmbysjen e madhe ekonomike dhe financiare të vitit 2008, të qytetarëve amerikanë, në sistemin politik dhe financiar të shtetit më të fuqishëm në Botë.

Deficiti i besimit i qytetarëve në institucionet e vendit, në një shtet të demokracisë liberale, është njëri prej kërcënimeve më të mëdha për stabilitetin e atij shteti. Dhe ky deficit, siç mund të kuptohet fare lehtë prej kryefjalës së Presidentit Obama, nuk mund dot të tejkalohet duke prodhuar iluzione dhe mashtrime, duke bërë premtime pa mbulesë, por kryekëput duke zënë fillin e realitetit, duke u ballafaquar me probleme, duke përmirësuar organizimin e pushtetit dhe cilësinë e institucioneve, thjesht, duke përvjel mëngët dhe duke mobilizuar mendjen dhe dijen.

Shteti nuk mbahet ndryshe.
E tash, të shohim se çfarë ndodhur këndejpari, tek ne, në Kosovë, në shtetin e Kosovës.

Para së gjithash, a mund të paramendojmë që Kryeministri i Kosovës, i cili në Prishtinë është figura qendrore dhe më e fuqishme politike, do të mund të artikulonte në këtë mënyrë, siç bëri Presidenti Obama, qasjen e tij ndaj sprovave me të cilat përballet shoqëria kosovare? A mund të imagjinoni që Kryeministri i Kosovës do të mund ta theksonte formulimin “ne kemi deficit të besimit të qytetarëve të Kosovës”, apo që “kemi telashe të mëdha si pushtet, të cilat, megjithatë, nuk mund dot të krahasohen me ato të qytetarëve të rëndomtë të Kosovës”?

Jo. Jo, pra, diç e tillë assesi nuk mund dot të thuhet prej Kryeministrit të Kosovës.

Kosova po lulëzon, po përparon, po zhvillohet në të gjitha drejtimet e mundshme, po ndërtohet dhe po rindërtohet, po ecën sigurt binarëve në drejtim të Bashkimit Evropian, arsimi dhe shëndetësia kurrë nuk kanë qenë në nivel më të lartë, korrupsioni në Kosovë kurrë nuk ka qenë në shkallë më të ulët, luftimi i krimit të organizuar kurrë nuk ka pasë më shumë sukses, etj.etj.

Në këtë mënyrë Kryeministri i Kosovës dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij i janë drejtuar qytetarëve të Kosovës, që prej janarit të vitit 2008, kur u bë kjo Qeveri, e këndej. Këtë, zatën, mund ta marrim vesh po që se shfletojmë arkivin e deklaratave dhe prononcimeve publike të Kryeministrit të Kosovës.

Sa është afër realitetit kjo politikë, kjo qasje e pushtetit të Kosovës, këtë mund ta gjejmë të gjithë ne, po që se ia parashtrojmë vetes një pyetje shumë të thjeshtë:
A ka ndryshuar jeta jonë për të mirë, në segmentin ekonomik dhe social, në dy vjetët e fundit?

Jo. Apo, ky rreshti i të dëshpëruarve dhe i të lodhurve me gjendjen ekonomike dhe sociale të Kosovës, do të ishte i gjatë me kilometra, dhe do të kishte si leje të njoftimit, nëse mund të themi ashtu, qytetarin e thjeshtë të vendit. E ai rreshti i atyre që jetojnë shumë më mirë sesa para dy vjetësh, do të ishte fare i shkurtër, dhjetëra metra më së shumti, dhe do të kishte si kartë identifikimi postet qeverisëse në nivelin qendror dhe në masë të madhe, edhe në atë lokal, po që se ato lidhen me partinë e Kryeministrit.

Jo vetëm kaq. Deficiti i besimit të qytetarëve të Kosovës që “do të bëhet më mirë” (apo, që atyre dhe familjeve të tyre do t’u ndryshohet jeta), ose, që statusi i tyre ekonomik dhe social do të ndryshojë rrënjësisht me zgjidhjen e statusit të Kosovës, po përcillet edhe me një thellim të deficitit të besimit në të gjitha segmentet tjera.

Kështu, kemi rënien e besimit në institucionet e Kosovës, si pasojë e qeverisjes së keqe.

Kemi rënien e besimit në parlamentarizëm, për shkak të cilësisë të dobët të Kuvendit të Kosovës. Kemi rënien e besimit në idenë dhe modelin e demokracisë, në vijim të gjithë rrëmujës a lëmshit të zgjedhjeve lokale. Kemi, po ashtu, rënien e besimit në ekonominë e tregut të lirë, si konsekuencë të transformimit të saj (të kësaj ekonomie pra), në një ekonomi të tregut të mbyllur në rrethin e kontrolluar rreptësisht prej politikës zyrtare.

Qeveria e sotme e Kosovës dhe Kryeministri i saj, po mundohen, me të gjitha mjetet, ta kontrollojnë besimin e qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës, duke qenë prodhuesit më të mëdhenj në rajon dhe më gjerë të iluzioneve dhe mashtrimeve politike, ekonomike dhe sociale.

Njerëzit e Kosovës nuk mund të presin dot prej këtyre politikanëve t’i zgjidhin problemet e tyre. Sepse problemi më i madh politik i këtij vendi është pikërisht Qeveria dhe autoritetet kryesore të saj, të cilët prej ditës së parë e deri në të fundit të qeverisjes, do të jenë të zënë me zgjidhjen e problemeve të tyre personale.

Por këta politikanë, nuk do të arrijnë dot ta komprometojnë demokracinë dhe as ta korruptojnë shpresën e qytetarëve të Kosovës që shteti i Kosovës do të ndryshojë për të mirë jetën e tyre.

Të komprometuar, të koritur dhe të korruptuar do të mbesin vetëm ata.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›