Kriza financiare, Greqia lëkund tregun ndërkombëtar të Euros
Blerina Olldashi
Borxhet e larta të Greqisë dhe falsifikimi i statistikave ekonomike dhe buxhetore shkaktojnë trazira në tregjet financiare ndërkombëtare. Monedha e përbashkët euro ka humbur ndërkohë vlerën. Në kohë krize sytë drejtohen nga Berlini. Ekonomia më e fortë e Europës duhet të mbajë peshën kryesore në një aksion shpëtimi për Greqinë e dobët. Në këtë rast nuk bëhet fjalë vetëm për të penguar falimentimin shtetëror të Greqisë, por edhe dëmin masiv për monedhën e përbashkët euro. Dëmi është tashmë konkret. Që prej fillimit të dhjetorit, euro në krahasim me dollarin ka humbur 8 për qind në vlerë. Nga ana tjetër në mesin e janarit kërkesa për bonot miliardëshe të thesarit e tejkaloi shumë herë ofertën. Grekët ofruan interes me katër për qind më shumë se norma e interesit të bonove gjermane të thesarit, të cilat përbëjnë vlerën e referencës për marrjen e kredive shtetërore në vendet e euros. Për investitorët ky është një biznes i mirë, meqë në tregje kjo konsiderohet si zgjidhje për të ndihmuar Greqinë. Ekzistojnë shanse për biznese të tjera të mira, sepse me një borxh shtetëror prej më shumë se 300 miliardë eurosh, 113 për qind të produktit të brendshëm vjetor bruto, qeveria në Athinë këtë vit duhet të shlyeje 54 miliardë euro përmes huave. Kësaj i shtohet edhe mbulimi i defiçitit të sivjetshëm në buxhetin shtetëror. Pesha e interesit po i merr frymën Greqisë. Grekët kanë jetuar përtej kushteve të tyre dhe janë vetë përgjegjës për gjendjen e arritur. Nga ana tjetër vendet e tjera të euros dhe Banka Qendrore Europiane nuk e kanë ndjekur situatën sa duhet, por u kanë besuar shifrave nga Athina. Në këtë mënyrë Greqia me statistika të falsifikuara ka hapur rrugën drejt Eurozonës dhe jo vetëm që ka administruar keq, por ka vazhduar të bëjë falsifikime. Në krizën e përgjithshme financiare dhe ekonomike dhe kështu në një moment të papërshtatshëm, mashtrimi është zbuluar. Defiçiti shtetëror grek arriti vitin e kaluar në 12,7 për qind të produktit të brendshëm bruto; sipas kritereve të stabilitetit të euro-s kufiri maksimal është tre për qind. Falimentimi shtetëror mund të shmanget me një program kursimesh të rrepta apo me ndihmë nga jashtë. Qeveria në Athinë ka shpallur masa të rrepta kursimesh në shpenzimet shtetërore dhe në sigurimet sociale, por askush nuk beson se ajo do të ketë qëndrueshmërinë e duhur për të realizuar këtë program kundër popullsisë që rebelohet. Nëse këtë herë vendet e tjera e ndihmojnë Greqinë të kalojë krizën, atëherë shumë shpejt do të shfaqen kandidatë të tjerë të tjerë të lëkundshëm, gjë që do të mbingarkonte BE në përgjithësi, dhe do të justifikonte një politikë joserioze buxhetore dhe financiare. Do të ishte sinjali i gabuar. Adresa e duhur, ku mund të drejtohej për ndihmë në nevojë Greqia është FMN-ja.
3 Shkurt 2010