E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu siguron në Turqi mbështetjen për Kosovën

Institucionet më të larta të Republikës së Turqisë i kanë bërë të martën një pritje madhështore Presidentit të Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i cili po qëndron për një vizitë dyditore në këtë vend mik, me ftesë të Presidentit Abdullah Gyl. Sejdiu është pritur personalisht nga presidenti Gyl. Të dy presidentët patën një takim kokë më kokë, për të ardhur së bashku në takimin me delegacionet e të dyja vendeve, në të cilin ata sërish rikonfirmuan zotimin e Republikës së Turqisë dhe të Republikës së Kosovës për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve të gjithanshme dhe vëllazërore në mes vendeve tona. Presidenti Gyl tha se Turqia i gëzohet çdo ditë progresit të arritur në Kosovë, që është një argument se ky vend është faktor i paqes dhe i stabilitetit në rajon. Duke shfaqur bindjen se procesi i njohjes së Kosovës do të ketë nxitje pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, presidenti Gyl vlerësoi se integrimi sa më i shpejtë i Kosovës në institucionet euroatlantike, në Bashkimin Evropian dhe në NATO do të siguronte paqe dhe stabilitet të përhershëm në gjithë rajonin.

Mujota: “FSK-ja do ta kryejë misionin në gjithë territorin e Kosovës”

Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Fehmi Mujota, në një intervistë për BBC-në është shprehur se zvogëlimi i trupave të NATO-s nuk do të shtojë përgjegjësitë e kësaj force. Ai tha se kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), mbesin në fushën e mbrojtjes civile, siç është përcaktuar me pakon e Ahtisarit dhe me Kushtetutë. Sipas ministrit Mujota, FSK-ja po pranohet gjithnjë e më shumë nga pakicat, përfshirë atë serbe, si një strukturë që mbron interesat e të gjithë qytetarëve. Megjithëse FSK-ja deri tani nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet në veri të Mitrovicës, kreu politik i saj thotë se ajo do ta kryejë misionin në tërë territorin e Kosovës. “Forca e Sigurisë së Kosovës kryen detyrat sipas kushtetutës dhe ligjeve të miratuara në Kuvendin e Kosovës. Janë dy procese të ndara që nuk ndikohen nga njëra-tjetra, por natyrisht ne bëjmë punën tonë për të arritur sa më parë kapacitetet operacionale”- u shpreh Mujota.

3 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›