E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prishen balancat në Korçë, e majta i merr bastionet PD

KORCA - Prishen balancat politike në qarkun e Korçës. Partia Socialiste thellon rezultatin në bastionet e saj dhe "rrëmben" bastione të së djathtës. Edhe në këto zgjedhje parlamentare qarku i Korçës do të çojë në parlamentin shqiptar 12 deputetë, por ndryshe nga zgjedhjet parlamentare të 2009-ës, ku të dyja partitë e mëdha politike morën nga një numër të barabartë mandatesh (nga 6 secila prej tyre), këtë herë PS së bashku me LSI kanë siguruar 7 mandate përkundrejt 5 mandateve të kundërshtarit.

Mësohet se janë numëruar mbi 400 kuti votimi nga 447 kuti gjithsej, ku ASHE ka marrë 80.932 vota, APMI 52.265 vota. Një faktor me ndikim në thellimin e rezultatit të koalicionit të majtë duket se ka qenë edhe LSI, e cila mësohet të ketë marrë mbi 12.000 vota, duke siguruar mandatin e deputetit për kryesuesin e listës të kësaj partie, Pirro Kapurani. Surpriza e këtyre zgjedhjeve parlamentare ka qënë "rrëmbimi" i zonave të ashtuquajtura bastione të së djathtës. PS-ja në këto zgjedhje nuk ka humbur asnjë nga bastionet e veta, por përkundrazi ka thelluar rezultatin në to. Kjo parti ka mundur të fitojë edhe rrethin e Devollit, i konsideruar si një ndër bastionet e fuqishme të PD-së në qarkun e Korçës.

Prej shumë vitesh e majta nuk ka mundur të dominojë në Devoll, por këtë herë sipas të dhënave nga KZAZ nr. 75, teksa ka përfunduar procesi i numërimit të votave, koalicioni i majtë ka mundur të fitojë edhe në këtë rreth me një diferencë prej 216 votash. Më herët ka përfunduar edhe procesi i numërimit të votave në KZAZ-në nr. 76 në Kolonjë. Rezultatet e këtij numërimi janë: Aleanca për Shqipërinë Evropiane 5129 vota dhe Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim, 3335 vota. Gjithashtu, ka përfunduar numërimi i edhe në KZAZ 69, ku përfshihej edhe Bashkia e Maliqit, sikundër pritej në këtë zonë, e cila është bastion i majtë, koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane ka dalë favorit. Koalicioni i majtë ka mundur të korrë fitore edhe në disa komuna bastione të djathta si ajo e Drenovës, Voskopojës, Bulgarecit.

Edhe në Bashkinë e Pogradecit është në avantazh e majta. Ajo çka binte në sy gjatë numërimit të votave në Bashkinë e Korçës ka qenë edhe PBDNJ, e cila për shkak të disa zonave minoritare ka dhënë kontributin e saj në koalicionin e majtë. Deri tani në Korçë të sigurtë janë kandidatët e PD: Ridvan Bode, Eleina Qirici, Edmond Spaho, Fatmir Mediu dhe Gjergji Papa. Ndërsa për PS janë: Bashkim Fino, Arta Dade, Olta Xhaçka, Ilirjan Pendavinji, Ilir Xhakolli, Ylli Ziçishti. Ka siguruar mandatin edhe Pirro Kapurani, kandidat i LSI-së.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›