E Shtunë, 31 Tetor 2026

Azerbaxhani mbeshtet projektin TAP

Menjëherë pas firmosjes së marrëveshjes ndërqeveritare në Athinë të projektit TAP, Azerbajxhani ka shfaqur mbështetjen për këtë gazsjellës. “TAP është projekti favorit i Qeverisë së Azerbajxhanit, si rruga më e mirë për të transportuar gazin azer në Europë”. Është kjo deklarata nga Athina e Zëvendësministrit të Energjisë në Azerbajxhan, Gulmammad Javadov. Në një intervistë për Bloomberg, ai është shprehur hapur për herë të parë në mbështjetje të TAP kundrejt projektit tjetër në garë Nabucco.
"Azerbajxhani shpreson se oferta finale e gazsjellësit Trans Adriatik, që do të dorëzohet në fund të marsit, do të jetë e fortë dhe konkurruese për t'u zgjedhur si korridori jugor i transportit të gazit në Europë", është shprehur Javadov pas takimit me ministrat e Italisë, Greqisë dhe Shqipërisë.
Projekti 800 kilometër i gjatë zotërohet nga tre gjigandë të fushës energjetike, norvegjezja "Statoil", zvicerianja Egl dhe gjermanja Eon Rurgas.
"TAP ka qenë gjithmonë teknikisht i mirë, financiarisht i fortë dhe fizibël. Marrëveshja trepalëshe i jep projektit themele të forta politike dhe ligjore si një shans i mirë për të qenë pjesë e korridorit jugor të gazit," ka vijuar inervistën Javadov.
Roli i Qeverisë azere konsiderohet si përcaktues në vendimin final të qershorit për projektin fitues mes TAP dhe Nabucco.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›