E Diel, 1 Nëntor 2026

Azilantët, nën hetim kreu i Komitetit të Pajtimit të Gjaqeve

TIRANE - Policia e Shtetit i dërgoi Prokurorisë materialet e nevojshme, me qëllim nisjen e hetimeve për kreun e Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar të Gjaqeve dhe një anëtari të Shoqatës së Misionarëve të Paqes, të cilët dyshohen se kanë lëshuar vërtetime false, për personat që kanë kërkuar azil në vendet e BE-së.

Përmes një njoftimi për mediat, policia bëri të ditur se ka referuar në Prokurori materialet në ngarkim të “55-vjeçarit Gjin Lazër Marku, me detyrë Kryetar i Komitetit të Pajtimit Mbarëkombëtar me qendër në Tiranë dhe shtetasit Pashko Tom Popaj, banues në Bajzë Kastrat, Malësi e Madhe, anëtar i Shoqatës së Misionarëve të Paqes dhe Pajtimit të Gjaqeve të Shqipërisë me qendër në Shkodër”.

Sipas policisë, “këta shtetas dyshohen se duke shfrytëzuar pozicionin në shoqatat e mësipërme kanë lëshuar vërtetime te falsifikuara për persona të
ndryshëm, që ata të aplikonin dhe përfitonin në mënyrë të padrejtë azilin në vende të ndryshme të Europës, duke konsumuar elemente të veprës penale te “falsifikimit të dokumenteve”, parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal”.

Policia e Shtetit bëri të ditur se do të vijojë verifikimin e të gjitha rasteve të ngjashme, duke kryer të gjitha veprimet procedurale në ngarkim personave që do të evidentohen se kanë kryer apo kryejnë veprime antiligjore.
(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›