E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekzekutohet me 10 plumba biznesmeni në shëtitoren e Fierit

Dëshmitarët: U qëllua nga një makinë benz në lëvizje. Dy kalimtarë të plagosur. Policia dyshime për një konflikt mbi truallin ku Spaho po ndërtonte një pallat

Persona ende të paidentifikuar kanë ekzekutuar nga një makinë benz në lëvizje biznesmenin Spartak Spaho, ndërsa kanë plagosur edhe dy kalimtarë të rastit, dje rreth orës 17.40 në një nga rrugët kryesore të Fierit. Atentati, që duket i përgatitur më herët, i ka marrë jetën menjëherë Spahos, i cili i qëlluar nga afër ka marrë 10 plumba në trup dhe kokë, ndërsa autorët janë larguar, sipas dëshmitarëve, në drejtim të Vlorës.

Atentati

Nga dëshmitarë okularë dhe të dhënat të policisë është mësuar se Spaho, 40 vjeç, ishte duke ecur pranë një pallati në ndërtim, ku mendohet se është pronar në momentin që është qëlluar. Makina nga e cila është shtënë ka ardhur me shpejtësi dhe duke përfituar nga errësira personat brenda saj kanë qëlluar disa herë në drejtim të Spahos. Dëshmitarët thanë se kanë dëgjuar breshëri automatiku. Sipas policisë, Spaho ka qenë duke ecur në këmbë përballë ish-hotelit ‘Vjosa’ në një zonë mjaft të populluar dhe me shumë lëvizje. Breshëritë e atentatorëve kanë plagosur, për fat të mirë jo rëndë, dy persona të tjerë që ndodheshin në atë moment në rrugë. Dritan Yzeiri, 41 vjeç, dhe Leonard Tole, 26 vjeç. Këta të fundit janë dërguar urgjentisht në spitalin Fier dhe sipas burimeve spitalore janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë dëshmitarët thanë se atentatorët ishin larguar me të njëjtën makinë në drejtim të daljes së qytetit që të çon në Vlorë.

Hetimet

Policia ka qenë e menjëhershme të rrethojë zonën e krimit dhe njëkohësisht të ngrejë një sërë postblloqesh në kërkim të atentatorëve. Burime nga policia thanë se ishin ngritur postblloqe dhe po kryheshin kontrolle brenda dhe jashtë qytetit të Fierit, ndërsa saktësuan se atentatorët janë larguar në drejtim të Vlorës edhe pse nuk dihet nëse ata e kanë lënë apo jo qytetin. Ndërkohë mjaft dëshmitarë apo persona që mund të kenë dijeni rreth ngjarjes janë shoqëruar dhe marrë në pyetje nga punonjës të policisë, për të zbardhur detajet e atentatit. Policia po punon edhe për të identifikuar makinën që është përdorur në krim dhe të dhëna rreth pronësisë së këtij mjeti, ndërsa dihet që është përdorur një benz. Nga hetimet në vendin e ngjarjes policia tha se kishte gjetur 14 gëzhoja të një arme, që mendohet të jetë një kallashnikov dhe sipas të dhënave të para 10 plumba kanë marrë në trup dhe kokë biznesmenin.

Motivet

Ende nuk ka një motiv zyrtar, por burime nga policia folën dje për një konflikt pronësie në truallin ku Spaho po ndërtonte pallatin, duke theksuar se kjo ishte edhe pista kryesore e hetimeve. Ende nuk dihen personat me të cilin kishte konflikt Spaho, por policia sqaron se po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes, ndërsa janë marrë në pyetje ata që mund të kenë dijeni rreth saj. Nga ana tjetër policia njofton edhe se po hetohet edhe për motive të ndryshme nga ai i pronësisë dhe për konflikte të tjera që mund të kishte viktima. Nga të njohur të Spahos mësohet se ai nuk kishte precedent dhe sipas tyre ai nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë më herët.

Të plagosurit, njëri rëndë, por jashtë rrezikut

Policia njoftoi se dy persona ishin plagosur në momentin e atentatit ndaj Spahos në qendër të Fierit. Nga të dhënat paraprake, mësohet se një prej të lënduarve kishte marrë plagë të rënda, ndërsa tjetri ishte plagosur lehtë. Sipas policisë, asnjëri prej të lënduarve, Dritan Yzeiri 41 vjeç dhe Leonard Tole 26 vjeç, nuk rrezikonte jetën. Ndërkohë policia pritet të pyesë edhe këta dy persona, të cilët rastësisht kanë qenë më afër viktimës në momentin e atentatit dhe mund të kenë parë makinën apo njerëzit që ndodheshin në të.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›